Përmbytje katastrofike në Filipine, lumenjtë mbulohen nga mbeturinat

Nga Xh M
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Manilla, 11 gusht Zhurnal.mk – Filipinet po përballen me reshje të jashtëzakonshme që prej 1 gushtit, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe aksidente, ndërsa të paktën 16 persona kanë humbur jetën.

Sasia e reshjeve ka kaluar 1,400 milimetra, një nivel që tejkalon atë që vendi merr normalisht gjatë gjithë muajit.

Në Manila, reshjet e dendura kanë sjellë një tjetër problem serioz. Në zonën e Baclaran, një lumë është mbushur me sasi të mëdha mbeturinash, duke krijuar një shtresë të dendur me plastikë, goma, rroba dhe materiale stiropori.

Punonjësit e pastrimit nisën fillimisht largimin manual të mbetjeve, por për shkak të përmasave të grumbullimit u përdorën edhe mjete të rënda. Autoritetet vlerësojnë se mbeturinat e mbledhura mund të mbushin më shumë se 100 kamionë.

Autoritetet filipinase paralajmërojnë se mbetjet e grumbulluara në lumenj dhe kanale janë një faktor që përkeqëson përmbytjet, duke penguar rrjedhjen normale të ujit.

Ministri i Punëve Publike, Vince Dizon, deklaroi se ujërat e përmbytjeve kanë nisur të tërhiqen në disa zona, por theksoi nevojën për të korrigjuar problemet e krijuara nga projektet e menaxhimit të përmbytjeve ndër vite.

Filipinet janë një nga vendet më të ekspozuara ndaj fenomeneve ekstreme të motit, pasi ndodhen në rrugën e cikloneve të Paqësorit dhe përballen mesatarisht me rreth 20 stuhi dhe tajfune çdo vit. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë në shpeshtësinë dhe intensitetin e këtyre fenomeneve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër