Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Partia Demokratike ka denoncuar atë që e cilëson si dështim të qeverisë për rikthimin e fondeve të programit IPARD, duke akuzuar mazhorancën se nuk ka përmbushur premtimin për zhbllokimin e tyre brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Në një deklaratë për mediet, sekretarja për Integrimin Europian në PD, Florialba Dizdari, tha se fermerët shqiptarë kanë tre vjet pa akses në fondet europiane IPARD, ndërsa sipas saj, fondet mbeten të bllokuara.
Dizdari theksoi se fondet IPARD u pezulluan në vitin 2023 pas konstatimit të parregullsive në administrimin e tyre dhe se çështja vijon të jetë objekt hetimi.
Sipas saj, vonesat kanë ndikuar në investimet dhe zhvillimin e sektorit bujqësor, ndërsa Shqipëria vijon të mos ketë akses në një prej instrumenteve kryesore europiane të financimit për bujqësinë.
“Partia Demokratike denoncon mashtrimin e radhës të qeverisë Rama, premtimin e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Ky afat ka kaluar dhe fondet mbeten të bllokuara”, deklaroi Dizdari.
PD deklaron se, në rast të ardhjes në qeveri, do të angazhohet për rikthimin e fondeve IPARD, në bashkëpunim me Komisionin Europian, si dhe për pesëfishimin e granteve dhe mbështetjes buxhetore për fermerët shqiptarë.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu hetimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të personave që, sipas saj, kanë shkaktuar bllokimin e fondeve europiane për bujqësinë.
“Fermerët shqiptarë janë në shesh bashkë me mijëra qytetarë të tjerë”, u shpreh Dizdari.
