Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Bjeshkët e Dobërdolit në Tropojë, që çdo vit e më shumë tërheq interesin e të pasionuarve pas natyrës.
Bjeshkët e Dobërdolit shtrihen në lartësinë 2200 metra mbi nivelin e detit, në pjesën e sipërme të luginës së Gashit.
Në pjesën e sipërme të luginës gjenden disa liqene akullnajore, më i madhi prej të cilëve është liqeni i Dashit, një ndër liqenet akullnajore më të mëdhenj të Alpeve tona.
E shtrirë në një peizazh tipik alpin, zona e Dobërdolit ofron një kombinim të livadheve të gjera, kullotave malore, burimeve ujore dhe panoramave të thepisura.
