Gjermania rrit mbështetjen për FSK-në, nënshkruhet projekti prej 3 milionë eurosh

Nga D V
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Republikën Federale të Gjermanisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli dhe atasheu gjerman i mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Guido Altendorf, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin e donacionit gjerman Enable & Enhance Initiative.

Sipas një njoftimi për media thuhet se në takim ishin të pranishëm edhe drejtori i Departamentit për Logjistikë dhe Infrastrukturë i MM-së, kolonel Imer Avdiu, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, si dhe përfaqësuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), nënkolonel Fabian Vogl dhe major Claus Schumm

“Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm, Gafurr Dugolli, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe shprehu besimin se ai do të vazhdojë edhe përmes projekteve të tjera në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se ky projekt, me vlerë prej rreth tre milionë eurosh, synon të avancojë kapacitetet operacionale të FSK-së, në përmbushje të misionit të saj. Projekti është vazhdimësi e projekteve të realizuara deri më tani në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër