“Le t’i ketë Vetëvendosje të gjitha” – Abdixhiku: LDK-ja heq dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe president

Nga Xh M
821 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 gusht Zhurnal.mk – Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti ka vendosur që të heqë dorë nga kërkesa për president apo marrëveshje politike për udhëheqje të institucioneve me Vetëvendosjen. “Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, ka thënë ai në një konferencë për media të enjten pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së. Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja do të ofrojë bashkëpunimin e saj për të zgjedhur një president jopartiak. Heqjen dorë nga kërkesat, Abdixhiku e ka proklamuar me “nevojën për të shmangur krizën”.

Abdixhiku ka thënë se oferta e Vetëvendosjes për LDK-në ka qenë që kjo parti “të bëhet dekor”. Sipas tij, VV-ja ia ka ofruar tri ministri LDK-së, duke i kërkuar postet tjera për vete.

Tek ka thënë se LDK-ja nuk pranon nënshtrim, Abdixhiku ka shtuar se për të shmangur futjen në një krizë më të thellë, kjo parti ka vendosur që të tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita, por që të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale.

“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, ka thënë Abdixhiku. “Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për LDK-në si partnere s’do ta ketë as si dekor. Në rrethana të tilla, do të qëndrojmë në opozitë, ku qytetarët na kanë vendosur dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër