Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Situata politike në vend duket e paqëndrueshme, pasi nëë momentin kur duhej të përkujtohej një marrëveshje paqësore si ajo e Ohrit, data e 25 vjetorit u shndërrua në pikënisje të një debati të vjetër, por tashmë të rikthyer me aktualitet plani për ndarjen e Maqedonisë. Diskutimi u hap nga Ali Ahmeti, u pasua nga Menduh Thaçi, Ljubço Georgievski dhe Stevo Pendarovski. Dhe natyrisht krijohet dilema se pse pikërisht tani ky plan rikthehet në diskursin politik? Çfarë nuk po funksionon si duhet brenda vendit që të hapen plagët e vjetra? shkruan Zhurnal.
Ali Ahmeti e kujton planin e ndarjes së Maqedonisë në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, zbuloi se para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit i ishte propozuar ndarja e Maqedonisë nga qeveria e Ljubço Georgievskit. Ai e refuzoi këtë opsion, duke e cilësuar si zgjidhje të dhimbshme që do të sillte luftë për territore dhe zhvendosje masive të popullsisë. Ahmeti theksoi se Marrëveshja e Ohrit, megjithëse kompromis, solli përparime të rëndësishme për shqiptarët: legalizimin e Universitetit të Tetovës, rritjen e përfaqësimit në institucione dhe përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe. Për Ahmetin, ky kompromis ishte më pak i dhimbshëm sesa një ndarje territoriale që do të kishte pasoja tragjike për të dy komunitetet.
“Nuk jam i penduar sepse nuk i shkaktova dhimbje më të mëdha as shqiptarëve, por as edhe maqedonasve. Nuk u shkaktova dhimbje dhe nuk pendohem për këtë zgjidhje. Dhe marrëveshja përparoi mjaft. U legalizua Universiteti i Tetovës. Gjuha shqipe hyri në fillimet e saj në përdorim, në institucionet e shtetit, presidenca, qeveria, kuvendi, të gjitha janë edhe në gjuhën shqipe. Materialet filluan të komunikojnë, pasi u miratua ligji përdorimin e gjuhëve, se para përdorimit të gjuhëve ishte përdorimi i kufizuar. Shqiptarët përparuan në administratë nga 2%, 1%, 0.5%, 5% nëpër institucion që ishin të përfaqësuar shkoi përfaqësimi në 21-22%”, ka deklaruar Ahmeti.
Menduh Thaçi pa fakte tenton ta demantojë Ahmetin
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, e kundërshtoi Ahmetin duke thënë se nuk ka ekzistuar dokument për ndarjen e Maqedonisë. Sipas tij, ideja ishte produkt i pseudo-akademikëve të UDB-së dhe nuk kishte bazë institucionale. Thaçi e akuzoi Ahmetin për manipulim politik dhe paralajmëroi se mund ta padisë për dëmtim të figurës së Arbën Xhaferit. Megjithatë, deklaratat e Thaçit mbeten pa prova konkrete, duke u perceptuar si reagim politik më shumë sesa demantim i bazuar.
Ljubço Georgievski e mbështet tezën e Ahmetit
Ish-kryeministri Ljubço Georgievski konfirmoi se plani për ndarjen e Maqedonisë ka ekzistuar. Ai tha se ideja u prezantua nga akademikë të ASHAM-it dhe më pas u diskutua në nivel shtetëror me presidentin Boris Trajkovski dhe liderë të tjerë. Georgievski pranoi se kishte informuar Arbën Xhaferin, i cili pas konsultimeve e refuzoi planin. Ky rrëfim e forcon tezën e Ahmetit se ndarja ishte realisht në tavolinë, por u refuzua për shkak të rreziqeve të mëdha.
Stevo Pendarovski thotë se faktori ndërkombëtar e ndaloi ndarjen
Ish-presidenti Stevo Pendarovski ka pohuar se arsyeja kryesore për mosrealizimin e ndarjes ishte kundërshtimi i faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, Pentagoni kishte vlerësuar se shkëmbimi i territoreve dhe popullsisë ishte i pamundur pa gjakderdhje masive, ndërsa ndarja e Shkupit do të sillte humbje të mëdha njerëzore. Pendarovski e sheh këtë si shembull të rolit vendimtar të NATO-s dhe SHBA-së në ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë. Ai paralajmëron se VMRO-DPMNE po përsërit gabimet e së kaluarës duke kundërshtuar integrimin euroatlantik.
Pse tani kjo temë?
Rikthimi i debatit për ndarjen e vendit pas 25 vitesh nuk është rastësi. Ai lidhet me disa faktorë që mund të jenë si stagnimi politik dhe institucional që lidhet me procesin e integrimit në BE, duke krijuar frustrim dhe hapësirë për rikthimin e ideve radikale.
Kriza e besimit brenda dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, ku kjo dëshmohet me faktin që Marrëveshja e Ohrit nuk ka prodhuar plotësisht barazi reale, ndërsa tensionet etnike mbeten të pranishme.
Kalkulimet politike nuk përjashtohen ku liderët aktualë përdorin temat e ndjeshme për të mobilizuar elektoratin dhe për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e qeverisjes.
Debati për ndarjen e Maqedonisë, i rikthyer në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, nxjerr në pah tensionet e pazgjidhura të sistemit politik. Ahmeti e konfirmon ekzistencën e planit, Georgievski e mbështet, Thaçi e mohon, ndërsa Pendarovski thekson rolin vendimtar të faktorit ndërkombëtar. Rikthimi i kësaj teme tregon se vendi po përballet me krizë të thellë politike dhe mungesë vizioni strategjik. Në vend që të diskutohet ndarja, sfida e vërtetë mbetet ndërtimi i një shteti funksional, multietnik dhe të integruar në strukturat euroatlantike. /Zhurnal.mk
