“Do t’i shkruaj Ruttes”, Vuçiq alarmohet nga hapja e urës së Ibrit, përpiqet ta ndaloj

Nga D. V.
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i dërgojë letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte me kërkesë që ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mos hapet për qarkullim.

Deklaratën Vuçiq e ka bërë të martën, ndërsa mediat në gjuhën serbe raportojnë se ai e kundërshton procesin e hapjes së urës dhe pretendon se vendimi është marrë pa pëlqimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Ai ka pretenduar gjithashtu se procesi po zhvillohet nga KFOR-i, konkretisht nga komandanti Ozkan Ulutash.

“Këtë po e bën ai turku, komandanti i KFOR-it. Do t’i shkruaj Mark Rutte-s sot. Shpresoj se do të më përgjigjet dhe do ta pranojë kërkesën time që të mos bëhet kjo”, ka deklaruar Vuçiq, duke e cilësuar situatën si “turp të madh dhe zhgënjim”.

Vuçiq e ka cilësuar këtë si “turp të madh” dhe “zhgënjim”.

“Kjo tregon për nervozizmin që i ka kapluar, sepse nuk dinë si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë një Kosovë të pavarur”, është shprehur Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe.

Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të KFOR-it më 10 gusht se ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit, duke e lidhur këtë me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian është njoftuar për këtë zhvillim dhe ka bërë thirrje që Policia e Kosovës të ofrojë garanci për sigurinë e të gjitha komuniteteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër