Historia e transferimit të Alexander Isak te Liverpooli, e cila verën e kaluar zgjati deri në ditën e fundit të afatit kalimtar, mund të ketë një tjetër version këtë verë. Kësaj radhe, në qendër të vëmendjes është mesfushori i Chelseat, Enzo Fernandez, për të cilin Manchester City vazhdon të jetë i interesuar.
Chelsea kishte arritur marrëveshje me agjentin e futbollistit argjentinas, Javier Pastore, në fund të majit, duke i dhënë dritën jeshile një largimi të mundshëm të Fernandez për rreth 120 milionë eurosh.
Megjithatë, klubi londinez vendosi 14 gushtin si afat të fundit për pranimin e ofertave.
Ky afat tashmë ka kaluar pa ardhur asnjë ofertë zyrtare dhe Chelsea i ka bërë të ditur kampit të Fernandez se mesfushori nuk është në shitje gjatë këtij afati kalimtar.
Megjithatë, historia e Isak tregon se situata të tilla mund të ndryshojnë shumë shpejt.
Manchester City nuk heq dorë nga Fernandez
Manchester City, i drejtuar nga ish-trajneri i Fernandez te Chelsea, Enzo Maresca, vazhdon të jetë i interesuar për 25-vjeçarin.
Në kampin e klubit anglez besohet se Chelsea ende mund të jetë i hapur për një marrëveshje.
City po kërkon të përforcojë mesfushën pas largimit të Rodrit drejt Barcelonës dhe përfundimit të kontratës së Bernardo Silvas. Klubi ka zhvilluar gjithashtu negociata të avancuara për një marrëveshje prej 85 milionë eurosh për mesfushorin maroken Ayyoub Bouaddi.
Ndërkohë, Manchester City ka transferuar Elliot Anderson nga Nottingham Forest për një rekord klubit prej 116 milionë eurosh, Jeremy Monga nga Leicester City për 12.5 milionë euro dhe portierin Geronimo Rulli nga Marseille për 1.7 milionë euro.
Nëse Fernandez dhe Bouaddi i bashkohen skuadrës, shpenzimet e Marescas në këtë afat kalimtar do të kalonin shifrën e 330 milionë eurove.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume pritet të mbulohet nga shitjet e Rodrit dhe James Trafford, ndërsa largimet e mundshme të Tijjani Reijnders dhe Savinhos do të sjellin të ardhura të tjera.
Edhe largimet e Bernardo Silvas, John Stones dhe Nathan Ake kanë ndihmuar në uljen e faturës së pagave.
Chelsea ende nuk e ka mbyllur derën
Raportime nga Spanja pretendojnë se Chelsea vazhdon të jetë privatisht i hapur për shitjen e Fernandez. Sipas këtyre raportimeve, klubi ka angazhuar agjentin e njohur Jorge Mendes, i cili përfaqëson edhe Pedro Neton, për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës.
Fernandez tentoi më herët gjatë verës të siguronte një transferim te Real Madridi, por pa sukses. Klubi spanjoll më pas mohoi se kishte pasur interes konkret për mesfushorin.
Situata është komplikuar edhe më shumë nga marrëdhënia e Fernandez me tifozët e Chelseat.
Në ndeshjen miqësore të fituar 3-1 ndaj Real Sociedadit, argjentinasi u prit me vërshëllima nga një pjesë e tifozëve kur hyri në fushë, ndërsa një pjesë tjetër e mbështeti. Reagimet e përziera u përsëritën edhe sa herë që ai prekte topin.
Chelsea, megjithatë, mbetet optimist se Fernandez mund të rikthehet plotësisht në skuadër. Një sinjal i qartë ishte vendimi për t’i dhënë atij shiritin e kapitenit pasi zëvendësoi Reece James.
Historia e Isakut është paralajmërimi
Situata aktuale ngjan shumë me atë të Alexander Isakut një vit më parë. Newcastle United insistoi për javë të tëra se sulmuesi suedez nuk ishte në shitje, madje refuzoi edhe një ofertë fillestare prej 110 milionë eurosh nga Liverpooli.
Megjithatë, pas një vere të gjatë me tensione dhe negociata, Isak përfundimisht iu bashkua Liverpoolit në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Transferimi u zyrtarizua rreth dy orë e gjysmë pasi afati kalimtar ishte mbyllur.
Newcastle kishte tentuar paraprakisht të mbulonte largimin e tij duke transferuar Nick Woltemade nga Stuttgart për 69 milionë euro dhe Yoane Wissan nga Brentford për 55 milionë euro.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk arriti të përmbushte pritshmëritë dhe Newcastle kaloi një sezon zhgënjyes.
A ka nevojë Chelsea për një zëvendësues?
Chelsea nuk duket se do të kishte probleme të mëdha sa i përket numrit të mesfushorëve nëse Fernandez largohet.
Trajneri i ri Xabi Alonso ka përdorur gjatë fazës përgatitore skemën 3-4-2-1, e njëjta formë taktike që e ndihmoi të udhëhiqte Bayer Leverkusenin drejt një dopiete historike në vitin 2024.
Në ndeshjen ndaj Real Sociedadit, Moises Caicedo dhe Reece James formuan dyshen e mesfushës, ndërsa Romeo Lavia u aktivizua nga stoli.
Jordan Henderson mungoi për shkak të një dëmtimi, ndërsa Valentin Barco dhe Dario Essugo nuk u aktivizuan.
Për më tepër, Chelsea nuk do të luajë në Evropë këtë sezon, çka e zvogëlon nevojën për një grup shumë të gjerë lojtarësh.
Megjithatë, klubi londinez kishte shfaqur më herët interes për Alex Scott të Bournemouthit, duke bërë një ofertë prej 64 milionë eurosh.
Gjithashtu, Chelsea është lidhur me Myles Lewis-Skelly të Arsenalit, Adam Wharton të Crystal Palace dhe Lamine Camara të Monacos.
Bournemouthi ka deklaruar se Scott nuk është në shitje me asnjë çmim, ndërsa Lewis-Skelly raportohet se dëshiron të vazhdojë te Arsenali.
Kështu, dilema për Enzo Fernandez pritet të jetë një nga historitë kryesore të dy javëve të fundit të afatit kalimtar: Chelsea do t’i rezistojë interesimit të Manchester Cityt dhe do ta rikthejë plotësisht argjentinasin në skuadër, apo do të hapë derën për një transferim të bujshëm?
Përgjigjja mund të vijë vetëm në ditët e fundit të afatit kalimtar, pikërisht ashtu siç ndodhi me Isakun një vit më parë.




