Tiranë, 20 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, publikoi sot rastin e një nëne e cila, pas ndërhyrjes së Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, ka nisur të marrë rregullisht pensionin ushqimor për fëmijën e saj.
“Një vendim vlen kur zbatohet”, shkruan Gogu në reagimin e tij, duke theksuar se kur një vendim gjykate nuk zbatohet vullnetarisht, qytetarët mund t’i drejtohen Shërbimit Përmbarimor Shtetëror për ekzekutimin e tij.
Në videon e publikuar nga ministri, qytetarja tregon se pagesat kanë nisur të mbërrijnë çdo muaj në llogarinë e saj, pasi ajo depozitoi kërkesën pranë shërbimit përmbarimor.
“Lekët kanë ardhur në llogarinë time çdo muaj në mënyrë të rregullt. Që nga dita që kam ardhur këtu, që kam depozituar kërkesën, që kam kërkuar ndihmë që të merrja pensionin ushqimor, pasi ishte e vështirë për të biseduar, më është përgjigjur Përmbarimi” u shpreh qytetarja.
Shërbimi Përmbarimor Shtetëror ka për mision kryesor ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë dhe vendimeve gjyqësore në Shqipëri.
