Editorial / A duhet të zvogëlohen festat zyrtare dhe a duhet të kemi më pak orë pune!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Tema e orëve të punës dhe gjetjes së formës më adekuate për produktivitetin e punëtorëve janë rihapur sërish në Maqedoninë e Veriut. Disa oda ekonomike kërkojnë më pak festa, ndërsa të tjerat kërkojnë produktivitet të punëtorëve. Praktikat nëpër botë janë të ndryshme, por ku duhet të jetë Maqedonia e Veriut, sa orë punë duhet të kemi brenda nj ëjave, dhe a duhet të festohen të gjitha festat shtetërore e fetare, shkruan “Zhurnal.mk”.

Një muaj pushim, një muaj festa…

Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 11 festa zyrtare, ditë jopune që vlejnë për të gjithë qytetarët e vendit. Aktualisht, për shkak të festave të përbashkëta dhe atyre fetare/etnike, në kalendarin e përgjithshëm figurojnë rreth 27 ditë jopune, të ndara sipas komuniteteve, gjë që sipas biznesit krijon ngarkesë të lartë.

Përveç kësaj, nëse festat shtetërore bien në ditën e diel, ato transferohen për ditën e hënë, kështu që vikendet për punëtorët zgjaten dhe mungesa e produktivitetit është e madhe.

Nëse këtu kalkulohet edhe pushimi i garantuar vjetor prej 20-26 ditë pune, atëherë i bie që një punëtorë brenda një vitit të ketë dy muaj pushim, një falë festave e një tjetër falë ligjit që i parashikon të drejtat e punëtorëve.

Bizneset ankohen se ka shumë festa

Propozimi i plotë i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e Ligjit për Festat synon rritjen e produktivitetit, efikasitetit ekonomik dhe optimizimin e ditëve jopune në sektorin privat.

Sipas Odës Ekonomike, propozimi nuk parasheh heqjen direkte të festave ekzistuese, por rishikimin e të drejtës së shfrytëzimit të tyre përmes heqjes së praktikës së “bartjes së festave” dhe limitimin indirekt në 13 ditë pushimi në vit.

Propozimi kërkon që nëse një festë zyrtare bie ditën e diel, e hëna të mbetet ditë e rregullt pune dhe të mos transferohet si ditë pushimi. Kjo do të eliminonte automatikisht krijimin e “fundjavave të zgjatura” artificiale që dëmtojnë procesin e prodhimit. Përmes këtij rregullimi, numri i ditëve jopune për një punëtor do të reduktohej në mënyrë indirekte në saktësisht 13 ditë në vit.

Puna të vlerësohet me orë, sikur në vendet evropiane

Unioni i Dhomave të Tregtisë së Maqedonisë nuk pajtohet me propozimin për të ulur numrin e festave, duke vlerësuar se përpjekjet duhet të drejtohen drejt rritjes së produktivitetit dhe organizimit më efikas të procesit të punës.

Si një nga opsionet për të cilat duhet të hapet një diskutim më i gjerë, Unioni thekson pagesën e punëtorëve sipas orëve të punës, duke ndjekur shembullin e ekonomive të zhvilluara të tregut. Sipas kësaj ideje, është e nevojshme të merren në konsideratë modele të organizimit dhe vlerësimit të punës, të cilat do të kontribuonin në rezultate më të mira në punë.

Në Maqedoninë e Veriut ka punëtorë të palodhur, të përkushtuar dhe të ndershëm që duan të punojnë, prandaj zvogëlimi i festave nuk duhet të jetë prioritet. Në vend të kësaj, vëmendja duhet të drejtohet drejt mënyrave për të përmirësuar produktivitetin dhe për të shfrytëzuar potencialin e punës.

Sindikatat kërkojnë rroga më të larta, qeveria nuk do të humbasë vota!

Lidhja e Sindikatave është kategorisht kundër propozimit të Dhomave ekonomike, duke thënë se në vend që të shkurtohen ditët e pushimit, duhet të dëgjohen kërkesat e punëtorëve kur bëhet fjalë për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Nga ana tjetër kryeministri Mickoski ka deklaruar prerë se “në parim, të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen” dhe nuk ka dilema në këtë pikë, ndërsa në të njëjtën linjë është edhe Ministri i ekonomisë, Besar Durmishi i cili thotë se festat u takojnë qytetarëve të çdo feje, shkruan “Zhurnal.mk”.

Sa festa kanë vendet e Evropës dhe ato të Ballkanit

Në Evropë, vendet me më shumë festa zyrtare janë Lihtenshtajni, deri në 22 ditë dhe Qipro 15 ditë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, veçanërisht Anglia dhe Uellsi me nga 8 ditë kanë më së paku festa. Në rajonin tonë, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina kryesojnë për numrin më të madh të pushimeve.

Lituania, Sllovakia, Malta, Islanda dhe Spanja renditen gjithashtu shumë lart, duke ofruar nga 14 deri në 16 ditë pushimi, shpesh duke kombinuar festat kombëtare me ato rajonale. Zvicra në nivel federal ka shumë pak festa të përbashkëta, ndërmjet 7 dhe 9 ditë në disa kantone, ndonëse kantonet e mëdha katolike mund të shtojnë ditë të tjera lokalisht.

Holanda dhe Gjermania janë gjithashtu në fund të listës me vetëm 9 ditë festive në rang kombëtar, edhe pse disa lande gjermane si Bavaria shkojnë deri në 13 festa.

Kur krahasojmë vendet e rajonit, dallimet lidhen kryesisht me faktin nëse shteti u njeh ditë pushimi të veçantë komuniteteve të ndryshme apo nëse aplikohet ligji i bartjes së festës kur ajo bie në fundjavë.

Kur futen në llogaritje të gjitha komunitetet, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë numrin më të madh të ditëve festive në total, ndonëse asnjë qytetar i vetëm nuk i pushon të gjitha ato, pasi janë të ndara sipas përkatësisë fetare apo etnike. Në Maqedoninë e Veriut numri i festave në maksimum mund të arrijë në 27 ditë të kalendarit, sepse ka 11 festa shtetërore dhe 16 ditë tjera janë festa fetare dhe kombëtare të kombësive të ndryshme.

Shqipëria ka një model unike në Evropë. Ajo nuk i ndan festat sipas komuniteteve, por çdo qytetar i pushon të gjitha festat fetare të katër besimeve kryesore dhe këto festa në total arrijnë 14-15 ditë për të gjithë.

Bosnja e Hercegovina ka deri 20 ditë pushimi, ndërsa numri ndryshon shumë për shkak të ndarjes entitetare dhe festave të shumta fetare. Kosova ka 11 festa zyrtare që vlejnë për të gjithë qytetarët, duke përfshirë ato shtetërore dhe ato fetare. Mali i Zi përdor një sistem ku festat kryesore shtetërore dhe fetare festohen kryesisht nga 2 ditë jopune rresht, gjë që e çon numrin e ditëve të lira për çdo qytetar në rreth 13-14 ditë në vit. Serbia ka numrin më të ulët të festave në rajon, me rreth 11 ditë zyrtare në rang kombëtar. Ligji gjithashtu u lejon pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, si myslimanët apo katolikët, të marrin ditë të lira për festat e tyre fetare, por ato aplikohen në mënyrë individuale.

Në Evropë punohet më pak se në Ballkan, por ka më shumë produktivitet

Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat, ekziston një kontrast i madh mes vendeve të Evropës Perëndimore dhe atyre të Ballkanit. Rajoni i Ballkanit punon mesatarisht javët më të gjata në të gjithë kontinentin, mbi 40 orë në javë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është dukshëm më e ulët, rreth 35.9 orë në javë.

Shqipëria kryeson listën me një mesatare prej rreth 43.7 orësh në javë, e ndjekur nga Turqia (42.9 orë) dhe Malit të Zi (42.8 orë). Në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovină punohet mesatarisht midis 40.6 dhe 41.3 orë në javë, Maqedonia e Veriut me 39.5 orësh në javë, ndërsa Greqia mban rekordin brenda Bashkimit Evropian me 39.6 orë.

Në Bashkimin Evropian, mesatarja ka rënë gradualisht (nga 36.9 orë sa ishte një dekadë më parë, në 35.9 orë në javë), kjo për shkak se shumë njerëz punojnë part-time dhe nga shtëpia. Holanda ka mesataren më të ulët prej 31.9 orëve, Gjermania, Danimarka dhe Austria midis 33.9 dhe 34.0 orë në javë, Zvicra me 35.9 orë në javë, ndërsa Polonia, Bullgaria e Rumania edhe pse janë pjesë e BE-së, ato ndjekin trendin e Ballkanit me orare më të gjata, duke punuar nga 38.2 deri në 38.7 orë në javë.

Pra, vendet më të zhvilluara ekonomikisht në Evropë punojnë më pak orë në javë, kjo ndodh sepse ato kanë arritur një nivel të lartë të produktivitetit për orë pune falë automatizimit, teknologjisë dhe organizimit më të mirë. Për vendet në zhvillim si ato të Ballkanit, nuk mund të kopjohet menjëherë modeli i vendeve më të pasura si Holanda apo Gjermania, por duhet të ndjekë një model tranzicioni të projektuar mirë. Megjithatë, gradualisht duhet të hiqet dorë nga orari i gjatë në punë që nuk ka efekt pozitiv, dhe të ndiqet modeli që iu mundëson punëtorëve produktivitet dhe jo qëndrim në punë, e pa efikasitet, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër