Çerdhja në Tearcë hap dyert në shtator

Nga I.A
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Pas tre vitesh vonesë, stërzgjatje të procedurave dhe pritjes maratonike të lejes për punësime nga Ministria e Financave, këtë shtator pritet që të fillojë me punë çerdhja e re në Komunën e Tearcës. Tashmë, nga dita e martë, kanë filluar regjistrimet e fëmijëve për vitin 2026/27 në hapësirat e kësaj çerdhe që ndodhet në fshatin Përshefcë. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e kësaj çerdhe, ndërsa krahas kësaj është bërë edhe pranimi i stafit të nevojshëm që do të përkujdesen për fëmijët. “Pranimi dhe regjistrimi i fëmijëve do të bëhet deri në plotësimin e kapacitetit të përcaktuar në bazë të vendimit të Ministrisë. Për çdo informacion shtesë lidhur me regjistrimin dhe pranimin e fëmijëve, prindërit do të njoftohen me kohë”, njoftuan nga Kopshti i Fëmijëve “Foleja” në Tetovë.

Paraqitja e fëmijë për regjistrim do të realizohet në hapësirat e çerdhes çdo ditë pune, nga ora 10:00 deri në 13:00, ndërsa prindërit do të duhet që gjatë procesit të regjistrimit të paraqesin të dhënat e nevojshme si emri dhe mbiemri i fëmijës, data e lindjes së fëmijës, emri dhe mbiemri i prindit, adresa e banimit si dhe numri i kontaktit. Duke patur parasysh se një kohë të gjatë pritet hapja e çerdhes, edhe interesimi është i lartë për të dërguar fëmijët. Objekti i çerdhes në Tearcë filloi të ndërtohet në vitin 2022 dhe përfundoi në fillim të vitit 2023, ndërsa po atë vit do të duhej të ishte gati. Megjithatë, për shkak të disa problemeve hapja e çerdhes vonohej dhe zvarritjes gjithnjë. Çerdhja e re në Tearcë ka sipërfaqe një sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, ku do të mësojnë fëmijët nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Në këtë çerdhe do të duhet të sistemohen rreth 155 fëmijë, ndërsa nga komuna thonë se nevoja është shumë më e madhe se sa kapaciteti që ka çerdhja. Kryetari i kësaj komune Daut Memishi thotë se do të bëjnë kërkesë që në këtë komunë të hapen edhe çerdhe tjera. Ndërtimi i kësaj çerdheje është mundësuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet fondeve të sistemit (IPA 2) kurse vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro. Kjo është hera e parë që në këtë komunë hapet çerdhe për fëmijë ndërsa për prindërit të cilët do të mund t`i regjistrojnë fëmijët e tyre do të jetë një lehtësim i madh sepse do të mund që të kryejnë obligimet e tyre dhe njëkohësisht fëmijët të jenë nën mbikëqyrje në këtë çerdhe. Megjithatë problem në vete do të jetë numri i vogël i fëmijëve që do të pranohen në çerdhe, ndërsa interesimi është shumë i madh, pasi që kjo çerdhe përfshinë shumë fshatra të kësaj komune. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër