Aplikim online për kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale

Nga D V
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 gusht, Zhurnal.mk – Kartela e pasurisë dhe harta kadastrale mund të rifreskohen në çdo kohë përmes një aplikimi online në e-Albania, njofton Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Sipas Kadastrës, qytetarët mund të marrin njëkohësisht kopjen e kartelës së pasurisë dhe fragmentin e hartës kadastrale, duke ndjekur një procedurë të thjeshtë në platformën e shërbimeve elektronike.

Kartela e pasurisë përmban të dhëna për pronarin ose bashkëpronarët, numrin e pasurisë, volumin dhe faqen, zonën kadastrale, si dhe informacione të tjera që lidhen me pronën.

Ndërsa harta kadastrale pasqyron kufijtë e pronës, madhësinë dhe pozicionin e saj.

Për të aplikuar, qytetarët duhet të hyjnë në e-Albania dhe të zgjedhin shërbimin “Aplikim për lëshim kopje kartele të pasurisë”. Në mënyrë automatike përzgjidhet edhe shërbimi “Aplikim për lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale”.

Më pas, qytetari përzgjedh pasurinë, plotëson formularin elektronik dhe dërgon aplikimin, ndërsa pagesa mund të kryhet online, në bankë ose përmes postës.

Këto shërbime mund të përfitohen edhe përmes procedurës së përshpejtuar, duke zgjedhur shërbimin me kodin “PP” përpara emërtimit.

Kadastra thekson se mundësia e aplikimit online synon ta bëjë më të thjeshtë dhe më të shpejtë marrjen e dokumentacionit kadastral nga qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër