Orce Gjorgjievski: Para për qytetin, jo për privilegje, të gjitha automjetet zyrtare nën kontroll GPS

Nga D V
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Të gjitha automjetet e Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjeve publike janë nën kontroll GPS – shpenzime më të vogla, kursime më të mëdha. Këtë e shkroi sot në Facebook kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Kur me paratë e qytetarëve menaxhohet si me buxhetin e shtëpisë, atëherë i kushtohet vëmendje çdo denari, çdo shpenzimi dhe çdo keqpërdorimi të mundshëm.

Prandaj, të gjitha automjetet zyrtare me të cilat disponon Qyteti i Shkupit dhe ndërmarrjet publike janë pajisur me aparate GPS dhe ndiqen përmes një qendre moderne monitorimi.

Sistemi mundëson që në kohë reale të dihet ku ndodhet çdo automjet, në cilën rrugë lëviz, me çfarë shpejtësie, sa kohë është në lëvizje, por edhe sa është konsumimi real i karburantit.

Përveç kësaj, përmes sondave speciale kontrollohet niveli i karburantit, me çka drejtpërdrejt lokalizohen shpenzimet jologjike dhe optimizohet puna.

Çdo automjet, çdo kilometër dhe çdo litër karburant duhet të ketë arsyetim.

Ky është sistem përgjegjësie dhe prandaj duam me shembullin tonë të tregojmë se Qyteti i Shkupit e mbron maksimalisht buxhetin e qytetarëve dhe se funksioni nuk është privilegj, por obligim.

Prandaj, fillojmë nga vetja.

Unë përdor automjetin tim personal dhe karburantin e paguaj nga buxheti im. Automjeti zyrtar që në të kaluarën e kanë përdorur kryetarët është vënë në dispozicion për nevojat e qytetit.

Se qasja ekonomike sjell rezultate, e tregojnë edhe shifrat.

JSP Shkup në gjashtë muajt e parë shënon kursim prej gjysmë milioni euro për karburant, me 50 automjete të përfshira shtesë, krahasuar me gjashtë muajt e parë të të njëjtës periudhë vitin e kaluar.

Dhe kjo është vetëm pjesë e ndryshimeve që po bëjmë.

Çdo denar që do ta shpëtojmë nga shpenzimet e panevojshme është denar më shumë për rrugë, parqe, transport publik, shkolla, kulturë dhe jetë më të mirë për qytetarët e Shkupit.

Nuk do të lejojmë që paratë e popullit të derdhen nëpër privilegjet dhe papërgjegjësinë e dikujt.

Po vendosim rregull, kontroll dhe menaxhim ekonomik, sepse buxheti i qytetit është pronë e qytetarëve.

Punojmë me përgjegjësi, ndershmëri dhe në interes të popullit tonë.

Shkupi duhet të jetë shembull se si menaxhohen paratë publike, shkroi kryetari i Shkupit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër