KFOR-i anulon takimin me Kurtin për çështjen e urës mbi Ibër

Nga Xh M
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 gusht Zhurnal.mk – KFOR-i ka bërë të ditur se takimi i paraparë ndërmjet komandantit të misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nuk është mbajtur.

Sipas KFOR-it, takimi i planifikuar për sot është anuluar për shkak të rrethanave të paparashikuara, ndërsa misioni i NATO-s ka theksuar se komandanti Ulutaş vazhdon komunikimin me përfaqësuesit kryesorë institucionalë në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i planifikuar sot ndërmjet Komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş, dhe z. Kurtit nuk u zhvillua”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Në njoftim nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e rrethanave që çuan në mosmbajtjen e takimit.

KFOR-i ka nënvizuar se, pavarësisht mosrealizimit të takimit, komandanti i misionit mbetet në kontakt me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë zyrtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë”, thuhet më tej.

Ndërkohë, misioni ka bërë të ditur se aktivitetet e tij të zakonshme po vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës.

“KFOR-i vazhdon aktivitetet e tij të përditshme në të gjithë Kosovën, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i thekson se veprimtaria e tij zhvillohet në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër