Garderoba milionëshe e Boki 13 mbetet e mbyllur në magazinë prej gjashtë vitesh

Nga Xh M
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 gusht Zhurnal.mk – Prej gjashtë vitesh, në një nga magazinat e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar qëndron garderoba e markave të Bojan Jovanovskit – Boki 13, me vlerë prej gati 600 mijë eurosh.

Gjatë kësaj periudhe, veshjet luksoze nuk janë nxjerrë asnjëherë në shitje, edhe pse vitin e kaluar është bërë vlerësimi i tyre. Në vend të shitjes, ekziston mundësia që garderoba të përfundojë edhe si donacion.

Ky skenar doli nga përgjigjja e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, të cilës i është kërkuar informacion se kur do të nxirret në shitje garderoba e konfiskuar në kuadër të rastit “Reket”.

“Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, në fund, sendet e konfiskuara mund t’i shesë, t’i shkatërrojë ose t’ua japë institucioneve shtetërore, shoqatave të qytetarëve apo fondacioneve. Në varësi të vendimit të marrë nga Bordi Drejtues do të varet edhe procedura e mëtejshme për këto sende të konfiskuara”, ishte përgjigjja e Agjencisë.

Për këtë arsye, është kërkuar sërish informacion nëse gjatë vitit të fundit ka pasur ndonjë ndryshim dhe nëse garderoba ka përfunduar si donacion.

“Ju njoftojmë se nuk ka pasur asnjë ndryshim në lidhje me mënyrën e trajtimit të sendit të përmendur”, ishte përgjigjja e shkurtër e Agjencisë.

Gjithçka nisi në verën e vitit 2019, kur hetuesit gjatë kontrollit në shtëpinë e Jovanovskit konfiskuan 71 thasë me veshje, këpucë, orë, çanta dhe bizhuteri – gjithsej 1.208 artikuj nga marka të njohura si Louis Vuitton, Versace, Dolce & Gabbana, Gucci, Valentino, Dior dhe të tjera.

Mes veshjeve të konfiskuara ishte edhe manteli i argjendtë i Louis Vuitton, me vlerë rreth 8.000 euro, të cilin Boki 13 e kishte veshur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Story”.

Sipas Prokurorisë, ai i kishte blerë këto artikuj gjatë viteve 2018 dhe 2019, duke shpenzuar rreth 1.5 milionë euro, të cilat dyshohet se i kishte përfituar përmes zhvatjes së biznesmenit Orce Kamçev.

Boki 13, nga ana tjetër, pretendonte se konfiskimi ishte i paligjshëm, pasi, sipas tij, rreth 95 për qind e garderobës ishte blerë disa vite më herët, që nga viti 2013. Për ta bindur gjykatën, ai kishte paraqitur 1.650 fotografi të veshjeve të tij ndër vite, duke shpjeguar për secilin artikull se kur ishte blerë.

Lista e garderobës së konfiskuar është jashtëzakonisht e gjatë. Në të përfshihen rreth 60 rripa nga marka të ndryshme, mbi 80 palë pantallona, rreth 100 këmisha, më shumë se 70 pallto, dhjetëra xhaketa, mbi 60 palë tuta sportive, rreth 50 sakoe, dhjetëra palë xhinse, qindra palë këpucë, mbi 60 palë atlete dhe afërsisht po aq çizme.

Por lista nuk përfundon këtu. Atij iu konfiskuan edhe rreth 30 kapele dhe kapela, po aq palë papuçe, mbi 70 çanta të firmave të njohura, më shumë se 100 palë syze dhe rreth 100 bluza.

Gjatë kontrollit, Boki 13 mbeti edhe pa koleksionin e tij të bizhuterive. Atij iu konfiskuan rreth dhjetë varëse, byzylykë, unaza, ora, broshë dhe varëse të markave Versace, Dolce & Gabbana, Valentino, Gucci, Rolex dhe të tjera.

Mes sendeve të konfiskuara ishte edhe kurora e tij e artë me firmën Dolce & Gabbana.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër