INSTAT: 32 mijë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri

Nga D V
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri vijoi rritjen gjatë vitit 2025, duke arritur në 32 163 persona në fund të vitit, ose 46,6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Sipas publikimit më të fundit të INSTAT, meshkujt përbëjnë 65% të të huajve me leje qëndrimi, ndërsa femrat 35%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo 30–39 vjeç, me 24,5% të totalit.

Evropa mbetet kontinenti me numrin më të madh të shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, me 17 022 persona ose 52,9% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre është rritur me 18,5%.

Rritje të ndjeshme është regjistruar edhe te shtetasit nga Azia, me 117,6%, duke arritur në 9 891 persona. Ndërkohë, numri i të huajve nga Amerika, Afrika dhe Oqeania u rrit me 73,4%, në 5 250 persona.

Punësimi është arsyeja kryesore e qëndrimit në Shqipëri, duke përbërë 55,1% të lejeve të qëndrimit. Pas tij renditen bashkimi familjar me 19,8%, arsye të tjera me 14,1%, qëllimet humanitare me 7,9% dhe studimi me 3,1%.

Sipas INSTAT edhe aplikimet për leje qëndrimi shënuan rritje. Në vitin 2025 ato u shtuan me 43,5% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shtetasit nga India dhe Filipinet përbënë së bashku 26,6% të aplikimeve.

Sa i përket origjinës, Kosova dhe Italia kryesojnë listën e shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, me përkatësisht 19,5% dhe 12,6% të totalit. Më pas renditen India me 9% dhe Filipinet me 7,5%.

Në shifra absolute, në vitin 2025 rezultojnë 6 284 shtetas nga Kosova, 4 065 nga Italia, 2 886 nga India dhe 2 401 nga Filipinet. Rritjen më të madhe krahasuar me vitin 2024 e kanë shënuar shtetasit nga Filipinet, me 136,1%, dhe nga India, me 87,6%.

INSTAT bën të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1 926 të huaj të parregullt, nga 1 540 në vitin 2024.

Të dhënat janë publikuar në kuadër të botimit “Të huajt në Shqipëri, 2025”, bazuar në informacionet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të përpunuara nga INSTAT.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër