Shkup, 24 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari zhvilloi sot takim me ambasadorin e Polonisë në Maqedoninë e Veriut, Mariusz M. Brimora, ku në fokus të bisedës ishin reformat në drejtësi, forcimi i sundimit të ligjit dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e zbatimit të Agjendës Reformuese, me fokus të veçantë në rritjen e pavarësisë, efikasitetit dhe funksionalitetit të gjyqësorit, si dhe në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Ministri Shasivari vlerësoi se partneriteti dhe mbështetja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Poloninë, kanë rëndësi të veçantë në procesin e avancimit të reformave dhe harmonizimit të sistemit të drejtësisë me standardet evropiane.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë mbetet një mundësi për shkëmbimin e përvojave, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.
