Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Pushteti i refuzoi të gjitha amandamentet e LSDM-së gjatë tri ditëve të deritanishme të debatit për amandamentet e buxhetit, përfshirë edhe propozimin për rritjen e pagës minimale në 600 euro, pavarësisht se ato kanë bëjnë me përmirësimin e standardit të jetës së qytetarëve dhe avancimin në disa fusha të rëndësishme, theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, duke vlerësuar se buxheti i propozuar ka mangësi serioze dhe nuk ofron perspektivë zhvillimore, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
“Të mos harrojmë, kishim një propozim për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Edhe pse kemi njëfarë bindjeje se ata vetë do ta bëjnë këtë në një mënyrë apo tjetër, do të shohim në periudhën e ardhshme. Por, duket se në këtë shtet propozimet që vijnë nga opozita nuk vlejnë për qytetarët, ndërsa paratë e shumicës qeverisëse janë më të mira për qytetarët”, deklaroi Bytyqi.
Ai theksoi se pushteti nuk tregoi gatishmëri për të pranuar asnjë nga amendamentet e propozuara, ndonëse, siç tha, bëhet fjalë për propozime serioze që do të përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Gjatë tri ditëve të debatit për amendamentet, shumica qeverisëse nuk tregoi gatishmëri për të pranuar asnjë amendament, ndonëse ka amendamente serioze dhe të mira që do të duhej të përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ne, si opozitë, do të luftojmë deri në fund për të treguar anën tjetër të medaljes, përkatësisht të vërtetën se pas këtij buxheti nuk fshihet asnjë projekt zhvillimor, se ai ka mangësi serioze dhe se shteti nuk po shkon në drejtimin e duhur, veçanërisht sa i përket menaxhimit me financat publike”, deklaroi Bytyqi.

