Burnham sinjalizon kthesë në marrëdhëniet me BE-në: Duhet të jemi më ambiciozë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Londër, 24 gusht, Zhurnal.mk – Britania e Madhe do të ndjekë një qasje më ambicioze për forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, deklaroi sot kryeministri britanik Andy Burnham.

Gjatë një takimi me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë udhëtimit me tren drejt Kievit dje në mbrëmje, Burnham theksoi se nevojitet më shumë bashkëpunim mes Britanisë së Madhe dhe BE-së në të gjitha fushat.

Sipas një zëdhënësi të qeverisë britanike, Burnham tha se Britania e Madhe duhet të jetë “më e guximshme” në afrimin me BE-në.

Kjo përfshin forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, por edhe në fusha të tjera të marrëdhënieve mes palëve.

Deklarata e tij vjen përpara samitit BM-BE, i cili ishte planifikuar në korrik, por tani pritet të zhvillohet më vonë gjatë këtij viti. Data ende nuk është konfirmuar.

Burnham ndodhet në Ukrainë me rastin e ceremonisë së 35-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Britania e Madhe ka rënë dakord gjithashtu, t’i ofrojë Ukrainës projektet teknike për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Gjatë udhëtimit drejt Kievit, Burnham zhvilloi gjithashtu një bisedë me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.

Sipas qeverisë britanike, ai shprehu synimin për afrimin e mëtejshëm të Britanisë së Madhe me BE-në, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve kulturore dhe arsimore mes BM-së dhe Evropës.

Qëndrimi i Burnham duket se vazhdon politikën e nisur nga paraardhësi i tij, Keir Starmer, për marrëdhënie më të afërta me Bashkimin Evropian, pa synuar rikthimin e Britanisë së Madhe si anëtare të BE-së.

Burnham ka kritikuar më herët Brexit-in, duke thënë se ai ka qenë i dëmshëm për BM-në, por ka kundërshtuar idenë që vendi të rihapë debatin për anëtarësimin në BE.

Ai ka argumentuar se Britania e Madhe duhet të fokusohet te bashkëpunimi, rritja ekonomike dhe çështjet e përbashkëta me Evropën, në vend që të rikthehet te përplasjet politike rreth Brexit-it.

artikuj të ndërlidhura