I mbaroi mandati, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato largohet nga Shqipëria

Nga Xh M
840 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 gusht Zhurnal.mk – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato ditën e djeshme ka përfunduar mandatin e tij tre vjeçar në krye të diplomacisë europiane në vendin tonë. Gonzato është larguar ditën e djeshme nga Shqipëria, përmes Portit të Durrësit.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Gonzato shkruan se vendi ynë i ka lënë kujtimi të paharrueshme. Ai shprehet se ka udhëtuar në gjithë Shqipërinë ku ka takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë.

“Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, thekson ai.

Sipas tij, së bashkua me kolegët ka punuar që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, me një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen.

Po ashtu ai shkruan se do të rikthehet sërish në vendin tonë dhe shpreson që “nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri”.

Postimi i plotë

“Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm.

Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë. Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet.

Të shtunën, kur u largova nga porti i Durrësit, i thashë vetes: “Do të kthehem.” Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri.

Deri atëherë — mirupafshim, Shqipëri,” Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër