Byroja për Siguri Publike dhe OSBE nisën program për mbështetje ndaj traumës psikologjike tek policët 

Nga I.A
638 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 gusht, Zhurnal.mk – Sot, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, mori pjesë në fillimin e fazës së parë të Programit për mbështetje ndaj traumës psikologjike, e cila paraqet një risi në sistemin policor dhe një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një policie moderne, profesionale dhe të përgjegjshme.

Programi realizohet me mbështetjen e Misionit të OSBE‑së në Maqedoninë e Veriut, me qëllim që shërbyesit policorë të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike për të njohur stresin dhe traumën, ndihmën e parë psikologjike, ndërhyrjen në krizë, mbështetjen kolegiale dhe referimin me kohë drejt ndihmës profesionale.

Në fjalën e tij, drejtori Janev theksoi se policët janë ndër të parët që mbërrijnë në vendin e aksidenteve, tragjedive, dhunës dhe situatave të tjera krizash.

„Policët përballen me skena të rënda dhe dhimbje njerëzore, ndërkohë që prej tyre pritet të mbeten të përqendruar, të marrin vendime nën presion, të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve. Por, pas çdo uniforme qëndron një njeri“, tha Janev.

Ai theksoi se pikërisht për këtë është e rëndësishme që policët të jenë të hapur ndaj njëri‑tjetrit, të bisedojnë dhe të ndihmojnë, duke nënvizuar se kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por shenjë përgjegjësie, profesionalizmi dhe kujdesi për veten dhe kolegët.

Janev shtoi se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ngjarjeve traumatike dhe dhunës, puna me turne, mungesa e gjumit, frika për sigurinë personale dhe sfidat familjare mund të lënë pasoja serioze, ndërsa frika nga stigmatizimi shpesh i pengon njerëzit të kërkojnë ndihmë me kohë.

„Ky program nuk do të jetë një aktivitet i njëhershëm. Ai do të bëhet pjesë e trajnimeve të vazhdueshme dhe sistemit të mbështetjes për policët, me çka qëndrueshmëria psikologjike, parandalimi dhe mbështetja kolegiale do të ndërtohen si elemente të përhershme të sistemit modern policor“, theksoi drejtori i BJB.

Ai porositi se qytetarët meritojnë një polici të fortë, stabile dhe të përgatitur mendërisht – polici që i përgjigjet profesionalisht çdo sfide dhe kujdeset me përgjegjësi për njerëzit e saj.

„Kujdesemi për qytetarët. Kujdesemi për njëri‑tjetrin. Sepse jemi një familje policore. Mos hesht. Kërko ndihmë me kohë. Pyet kolegun pranë teje si është dhe jepi mbështetje pa gjykim.

Njih. Reago. Ndihmo. Së bashku jemi më të fortë“, porositi Janev.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër