Ambasadori Qehaja: Autostrada Shkup-Bllacë, rezultat i viteve të angazhimit dhe lobimit

Nga D V
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka deklaruar se nisja e punimeve për autostradën Shkup-Bllacë është rezultat i një pune të gjatë dhe angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e lidhjes infrastrukturore ndërmjet dy vendeve.

Në një deklaratë për IndeksOnline, Qehaja tha se kjo autostradë përbën një nga projektet e rëndësishme për ndërlidhjen dhe mobilitetin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Një ndër caqet kryesore të bashkëpunimit tonë, ai i ndërlidhjes dhe mobilitetit, sot po përurohet. Më konkretisht, pas shumë viteve angazhime, avokime dhe lobime edhe nga ana jonë, sot po e përurojmë fillimin e punimeve për autostradën Shkup-Bllacë”, tha Qehaja.

Sipas tij, autostrada do të lidhet me përfundimin e autostradës “Arbën Xhaferi” në Kosovë, duke krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë të Kosovës me Korridorin 8.

“Autostrada do të lidhet me fundin e autostradës ‘Arbën Xhaferi’ dhe do të lidhë qytetarët e Kosovës me Korridorin 8”, u shpreh ambasadori.

Qehaja theksoi se ky segment rrugor është i rëndësishëm jo vetëm për qarkullimin dhe mobilitetin e qytetarëve, por edhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai e konsideroi nisjen e punimeve një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së ndërlidhjes infrastrukturore dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër