Shkup,, 26 gusht, Zhurnal.mk – Çerdhja e fëmijëve “Breshia” në vazhdimësi ka dhënë përkrahje për fëmijët nga familjet me probleme sociale. Në seancën e fundit të Këshillit Komunal në Dibër, me propozim të Këshillit Drejtues dhe Drejtorisë së çerdhes, këshilltarët përkrahën vendimin për lirimin nga participimi të fëmijëve nga familjet me gjendje të rëndë sociale. Qëllimi kryesor i vendimit është që edhe kësaj kategorie të fëmijëve t’u mundësohet akomodimi dhe edukimi në këtë institucion parashkollor.
Drejtoresha e çerdhes “Breshia”, Ajri Daçi, në seancë informoi këshilltarët se Këshilli Drejtues i çerdhes dhe stafi drejtues i institucionit propozojnë që edhe në të ardhmen të lirohen nga pagesa e participimit fëmijët në fjalë. “Çerdhja tani e disa vite ka liruar nga participimi kategoritë e fëmijëve nga familjet me probleme të rënda sociale. Po ashtu, kanë qenë të liruar nga participimi edhe fëmijët e etnitetit rom, me qëllim që edhe ata të kenë mundësi të ndjekin edukimin në këtë kopsht”, tha drejtoresha Daçi.
Në debat, këshilltarët potencuan se ka nevojë që të ketë lirim nga participimi, por, sipas tyre, duhet të ndiqen me vëmendje dokumentet që sjellin prindërit, me qëllim që të mos ketë keqpërdorime. Po ashtu, u theksua edhe nevoja që të vazhdohet me lirimin nga pagesa e participimit për fëmijët romë. Vite më parë ka pasur një projekt për edukimin e fëmijëve romë, por ai projekt ka përfunduar. Megjithatë, çerdhja edhe më tej i liron nga participimi këta fëmijë.
Drejtoresha Ajri Daçi potencoi se me ndërtimin dhe vënien në funksion të aneks-objektit të çerdhes, tani hapësirat e objektit i plotësojnë nevojat, por shtoi se duhet të tejkalohet edhe çështja e dhënies së vendimeve të punës për disa edukatore dhe staf teknik, të cilët, edhe pse punojnë prej disa vitesh, nuk kanë vendime për punë të përhershme. Sipas drejtorisë, numri i fëmijëve të akomoduar në çerdhe vazhdon të jetë rreth 400.
