Përgjegjësinë për tekstet shkollore të grisura dhe të papërdorshme e kanë shkollat

Nga Xh M
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 gusht Zhurnal.mk – Përgjegjësinë në rast se disa nxënës marrin tekste shkollore të grisura dhe të papërdorshme për vitin e ardhshëm shkollor e kanë vetë shkollat, pasi ato duhej me kohë të kërkonin zëvendësimin e tyre. Këtë e deklaroi së fundmi, në një konferencë për shtyp, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, e cila shprehu shpresën se këtë vit numri i ankesave do të jetë dukshëm më i ulët.

Vitet e fundit, pikërisht në fillim të vitit shkollor, të shpeshta kanë qenë ankesat e nxënësve dhe prindërve të tyre se kanë marrë tekste të grisura dhe të dëmtuara, të cilat nuk mund të përdoren për mësim.

“Unë nuk mund të them se edhe tani në rrjetet sociale nuk do të ketë fotografi me tekste të grisura. Fatkeqësisht, besoj se do të ketë. Por, sinqerisht besoj se kjo do të reduktohet në minimum. Kemi zhvilluar tri trajnime online dhe pas tyre është rritur numri i teksteve shkollore që shkollat kanë kërkuar. Pra, kemi parë më shumë seriozitet te një numër i madh shkollash. Por nuk mund të pretendoj se absolutisht asnjë shkollë në Maqedoni nuk ka bërë ndonjë lëshim. Çdo vit ka pasur lëshime, por gjatë këtyre tri viteve shoh se ato po zvogëlohen. Shpresoj që kjo të jetë vetëm në raste sporadike”, deklaroi Janevska.

Ajo rikujtoi se për një kohë të gjatë ka qenë i hapur sistemi elektronik për raportimin e teksteve shkollore të dëmtuara.

“Të gjitha shkollat që kanë kërkuar do t’i marrin tekstet shkollore që kanë kërkuar. Për ato që nuk kanë kërkuar, përgjegjësia është e tyre dhe Ministria në të ardhmen nuk do të marrë përsipër përgjegjësi të huaj, sepse prej tri vitesh zbatojmë një sistem të qëndrueshëm që siguron furnizim të rregullt me tekste shkollore. Shpresoj që kjo të reduktohet në minimum”, theksoi ministrja.

Sipas rregullave, tekstet shkollore zëvendësohen çdo pesë vjet, ndërsa drejtorët e shkollave janë të obliguar të evidentojnë tekstet e dëmtuara, t’ua ngarkojnë koston prindërve dhe të porosisin tekste të reja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër