Berisha: Refuzojmë kategorikisht reformën e Ramës për “Territorialen”

Nga D V
736 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se Këshilli Kombëtar i PD-së do të mblidhet sot për të përcaktuar qëndrimin dhe hapat që PD do të ndërmarrë lidhur me reformën territoriale.

Berisha tha se PD-ja do t’i përgjigjet, sipas tij, “bojkotit të njëanshëm” të reformës nga mazhoranca socialiste, ndërsa theksoi se përfaqësuesit e opozitës kanë vijuar të marrin pjesë në dëgjesat publike dhe protestat e zhvilluara në kuadër të procesit.

Sipas tij, përfaqësuesit e PD-së kanë zhvilluar konsultime me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, si dhe kanë zhvilluar takime me përfaqësues të ambasadave të vendeve të mëdha në Tiranë.

“Ne kemi vazhduar punën. Përfaqësuesit tanë kanë shkuar në të gjitha dëgjesat publike dhe në të gjitha protestat e organizuara për shkak të reformës. Kanë pasur një konsultë shumë të mirë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Kanë takuar përfaqësues të ambasadave të vendeve të mëdha në Tiranë.

Qëndrimi ynë tjetër do përcaktohet sot për hapat që do ndërmarrim. Ne nuk tërhiqemi nga refuzimi kategorik i reformës të Edi Ramës. Dhe po shfrytëzojmë çdo lloj hapësire që mund të gjejmë për ta kundërshtuar atë”, tha Berisha.

I pyetur në lidhje me sesionin e ri parlamentar, Berisha tha se opozita ka dy çështje që “lidhen me të drejtat tona themelore kushtetuese”.

Berisha tha se Parlamentit ka mbajtur në sirtar amendamentet e përgatitura nga deputetët e PD-së, të cilat, sipas tij, lidhen me kërkesat e përfaqësuesve të protestës dhe me ndryshime ligjore.

Sipas Berishës, amendamentet janë përgatitur që prej muajit maj, por nuk janë përfshirë në rendin e ditës së seancave plenare. Ai tha se kjo situatë ka sjellë edhe mungesën e deputetëve demokratë në dy seanca plenare.

“Deputetët tanë, nga java e dytë, ose e tretë e majit kanë pregtitur amendamentet për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave me shkrim të përfaqësisë së protestës, për ndryshimin e ligjeve dhe në shkelje flagrante me Kushtetutën. Kryesia e parlamentit i ka mbajtur në sirtar dhe nuk i ka sjellë në seancën plenare, gjë e cila, bëri që ne të mos paraqitemi në 2 seanca plenare”, tha ai.

Berisha theksoi se PD-ja nuk do të bojkotojë proceset zgjedhore.

“Lidhur me ligjin për Reformën Territoriale, se kanë një ligj ata. Sigurisht që, ne qëndrojmë fuqishëm kundër këtij. Një nen kemi ne në statut, për shkak të përvëlimit që patëm me ato bojkotet e zgjedhjeve lokale, etj., që ne nuk bojkotojmë. Kjo është. Dhe kjo, sigurisht, ndonjëherë ka edhe pasoja jo të dëshiruara, por do t’i përmbahesh sepse, nuk është se bojkoti sjell ndonjë gjë”, tha ai.

Berisha shtoi se morën pjesë në reformën territoriale se, ishte një nga dy kërkesat themelore të Komisionit Europian në raport të tetorit për Shqipërinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër