AIDA: Mbi 19 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri

Nga D V
582 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) informon se mbi 19 mijë kompani me kapital 100% të huaj ose të përbashkët janë regjistruar në Shqipëri deri në korrik 2026.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), deri më korrik 2026 në Shqipëri operojnë 19 370 kompani me kapital të huaj ose të përbashkët, ku 16 093 janë me kapital 100% të huaj dhe 3 277 me kapital të përbashkët.

Sipas shpërndarjes gjeografike, Tirana vijon të jetë qarku me përqendrimin më të madh të kompanive aktive me kapital të huaj ose të përbashkët. Në kryeqytet operojnë 12 814 kompani, ose 66,2% e totalit. Pas Tiranës renditen Durrësi me 13,4% dhe Vlora me 7,8%.

Për sa i përket origjinës së kapitalit, kompanitë me kapital italian kanë praninë më të lartë në Shqipëri, të ndjekura nga kompanitë me origjinë nga Kosova, Turqia, Greqia dhe SHBA-ja.

Kompanitë me kapital të huaj ose të përbashkët janë të pranishme në një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike. Shërbimet zënë peshën më të madhe, me 41,1% të totalit, të ndjekura nga tregtia me shumicë dhe pakicë me 26%.

Ndër sektorët e tjerë me prezencë të konsiderueshme janë industria përpunuese me 9,6%, informacioni dhe komunikacioni me 8,8% dhe ndërtimi me 7,6%.

Të dhënat janë publikuar nga AIDA bazuar në informacionin e QKB-së, duke ofruar një panoramë të pranisë dhe shpërndarjes së kompanive me kapital të huaj dhe të përbashkët në ekonominë shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër