Tiranë, 28 gusht, Zhurnal.mk – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Ana Dyrmishit, 25-vjeçarja e cila humbi jetën pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar duke e dërguar për kurim në Turqi.
Përmes një reagimi sot në rrjetet sociale, Ismaili shprehu dhimbjen për humbjen e jetës, duke theksuar nevojën për rritjen e përgjegjshmërisë dhe respektimin rigoroz të standardeve të sigurisë.
“Më dhemb që një ngjarje e tillë, sado aksidentale në origjinën e saj, përfundoi me humbjen e një jete. Por kjo tragjedi duhet të na bëjë edhe më të përgjegjshëm. Ajo nxori në pah problematika që duhet të ishin parandaluar përmes kontrolleve dhe respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë”, shkroi ministrja.
Ismaili theksoi se siguria në strukturat akomoduese nuk duhet të trajtohet si një detyrim formal, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e jetës.
“Siguria në çdo strukturë akomoduese nuk mund të jetë thjesht një detyrim formal. Rregullat janë aty për të mbrojtur jetë dhe duhet të zbatohen pa asnjë tolerim, në mënyrë që një aksident të mos kthehet më kurrë në tragjedi”, u shpreh ajo.
Në përfundim të reagimit, ministrja i përcolli ngushëllimet familjes dhe të afërmve të Anës.
“Ana, prehu në paqe! Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të saj”, përfundoi Ismaili.
Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja që pësoi djegie në mbi 85% të sipërfaqes së trupit pas zjarrit në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, ka ndërruar jetë. Mes dhimbjes dhe lotëve familjarë dhe miq i kanë dhënë sot në Durrës lamtumirën e fundit.
