Lamallari takim me drejtuesit e Policisë: Etika, minimumi që presin dhe meritojnë qytetarët

Nga D V
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan sot një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të Policisë Kufitare, me fokus forcimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjen e besimit të publikut te policia.

Gjatë takimit, ministri vuri theksin te nevoja që çdo strukturë policore, në çdo nivel, të jetë e orientuar drejt qytetarit dhe të garantojë një shërbim profesional, etik, të shpejtë dhe në përputhje të plotë me ligjin.

“Perceptimi dhe besimi i qytetarëve ndërtohen çdo ditë, mbi bazën e profesionalizmit, etikës dhe mënyrës se si Policia u përgjigjet ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre për informacion”, u shpreh Lamallari.

Ai nënvizoi se etika nuk duhet të shihet si një standard i jashtëzakonshëm, por si minimumi i detyrueshëm në sjelljen dhe komunikimin e çdo punonjësi të Policisë, ndërsa qytetarët meritojnë një shërbim cilësor, të shpejtë dhe konform ligjit.

“Etika është minimumi. Shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”, theksoi ministri.

Në takim u kërkua nga drejtuesit vendorë që këto standarde të jenë pjesë e pandashme e punës së përditshme të strukturave policore, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të drejtë ndaj çdo shqetësimi, ankese apo kërkese të qytetarëve.

Ministri i Brendshëm kërkoi gjithashtu që drejtuesit të kenë një vëmendje të shtuar ndaj mënyrës së komunikimit me publikun, duke e konsideruar çdo kontakt të qytetarit me Policinë si një mundësi për të forcuar besimin tek institucioni.

Forcimi i marrëdhënies së policisë me qytetarët, rritja e profesionalizmit dhe respektimi rigoroz i ligjit mbeten, sipas ministrit, elementë thelbësorë për një polici më të besueshme, më të përgjegjshme dhe më pranë komunitetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër