Gjilani dhe Dukagjini kanë ndarë pikët në xhiron e tretë të Superligës së Kosovës, pasi të shtunën kanë barazuar 2:2.
Ndeshja është zhvilluae në fushën me bari sintetik në Gjilan, nën dritën e reflektorëve të rinj, duke sjellë një përballje interesante me katër gola.
Gjilani e ka nisur më mirë ndeshjen dhe ka kaluar në epërsi në minutën e nëntë. Blerind Morina ka realizuar një supergol nga goditja e dënimit për 1:0.
Dukagjini ka reaguar shpejt dhe në minutën e njëzet e ka barazuar rezultatin. Mërgim Pefqeli ka qenë autor i golit për skuadrën nga Klina.
Gjilani e ka rikthyer epërsinë në minutën e tridhjetë e tetë, kur Arbër Potoku ka shënuar për 2:1.
Megjithatë, Dukagjini nuk është dorëzuar dhe në minutën e pesëdhjetë e katërt ka arritur ta barazojë rezultatin në 2:2. Dienit Isufi ka shënuar golin që i ka siguruar skuadrës nga Klina një pikë në këtë përballje.
Deri në fund, asnjëra skuadër nuk ka arritur ta shënojë golin e fitores dhe ndeshja ka përfunduar me rezultat 2:2.
Për Gjilanin ky ishte barazimi i parë i sezonit, pas dy fitoreve në dy xhirot e para.
Ndërkohë, Dukagjini ka regjistruar barazimin e dytë në tri ndeshje. Skuadra nga Klina ka edhe një fitore në këtë fillim të kampionatit.
