Kosova përballet me Hungarinë në Ferizaj, “Dardanët” kërkojnë fitoren e parë në kualifikimet për Euro 2028

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kombëtarja e Kosovës në hendboll luan sot ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028, ku përballë do të ketë Hungarinë.

Takimi do të zhvillohet në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, duke nisur nga ora 17:15, me “Dardanët” që synojnë të reagojnë pas humbjes në ndeshjen hapëse ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 37:30.

Përballë Kosovës do të jetë një kundërshtar me përvojë të madhe ndërkombëtare. Hungaria e nisi këtë fushatë kualifikuese me fitore 32:21 ndaj Malit të Zi dhe aktualisht kryeson Grupin 4 me dy pikë.

Trajneri i Kosovës, Jesper Östlund, e ka vlerësuar maksimalisht nivelin e kundërshtarit, duke theksuar se Hungaria ka në përbërje lojtarë që aktivizohen në klubet më të mëdha evropiane dhe në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, përfaqësuesja kosovare do të kërkojë të shfrytëzojë përkrahjen e tifozëve në Ferizaj për të synuar një rezultat pozitiv.

Në Grupin 4 bëjnë pjesë Kosova, Hungaria, Ishujt Faroe dhe Mali i Zi. Dy ekipet e para të secilit grup kualifikohen direkt në fazën finale të Evropianit 2028, ndërsa biletën e sigurojnë edhe katër ekipet më të mira që përfundojnë në vendin e tretë.

Ndeshja: Kosova – Hungaria
Data: 8 nëntor 2026
Ora: 17:15
Vendi: Palestra “Bill Clinton”, Ferizaj
Kompeticioni: Kualifikimet për Euro 2028

artikuj të ndërlidhura