Shkup, 31 gusht, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka kërkuar zgjidhje të shpejtë dhe institucionale për nxënësit të cilëve u është pamundësuar regjistrimi në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski–Penko” në Komunën e Butelit.
Në një konferencë për media, Arbesa Ramani nga VLEN deklaroi se fëmijët nuk mund të jenë viktima të burokracisë dhe të mosmarrëveshjeve ndërmjet institucioneve. Sipas saj, këshilltarët e VLEN-it e kanë ngritur këtë çështje në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Butelit, duke kërkuar veprim në interes të nxënësve, por kërkesa për një zgjidhje konkrete nuk ka marrë përgjigjen e nevojshme.
Ramani theksoi se këshilltarët shqiptarë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë për mbylljen e asnjë paraleleje. Ajo shtoi se ata nuk kanë votuar as për vendimin për rajonizimin e shkollave.
Sipas VLEN-it, nenet 7, 8 dhe 9 të vendimit për rajonizimin nuk e përjashtojnë regjistrimin e nxënësve nga rajone apo komuna të tjera, nëse shkolla ka vende të lira dhe plotësohen kushtet e parashikuara.
Vendimi, siç u tha, u jep përparësi edhe nxënësve që jetojnë në largësi deri në dy kilometra nga shkolla. VLEN vlerëson se është e papranueshme që shkollat e tjera në Komunën e Butelit të pranojnë nxënës nga komuna të tjera, ndërsa fëmijëve që jetojnë pranë shkollës “Petar Zdravkovski–Penko” t’u mohohet regjistrimi, pavarësisht se ekzistojnë kapacitete për pranimin e tyre. Ramani bëri të ditur se VLEN-i është në koordinim të drejtpërdrejtë me zëvendësministrin e Arsimit, me qëllim që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje konkrete dhe e drejtë për nxënësit.
“Fëmijët nuk duhet ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve institucionale. E drejta për arsim dhe interesi i tyre duhet të jenë mbi çdo interes tjetër”, deklaroi Ramani. Nga kryetari i Komunës së Butelit dhe drejtuesit e shkollës, VLEN kërkoi veprim dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se në këtë rast nuk nevojiten arsyetime apo bartje e përgjegjësisë, por një zgjidhje e menjëhershme.
