Prishtinë, 31 gusht Zhurnal.mk – Marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kandidimin e Bekim Sejdiut në postin e presidentit është pritur si një hap pozitiv pas një periudhe të gjatë bllokimi institucional. Megjithatë, analistët vlerësojnë se zbatimi i saj ende mbetet i pasigurt.
Gjatë prezantimit të kandidaturës më 31 gusht, Sejdiu deklaroi se vendimi për ta pranuar postin lidhej me rrethanat politike në të cilat ndodhet Kosova.
Zgjedhjet parlamentare të mbajtura në qershor u zhvilluan pikërisht për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive për zgjedhjen e presidentit. Ato ishin zgjedhjet e treta që nga shkurti i vitit 2025.
Agon Maliqi, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se konsensusi mes dy partive për çështjen e presidentit duhet vlerësuar, veçanërisht pas rreth dy vjetësh paralizë politike dhe bllokade institucionale.
Megjithatë, Maliqi paralajmëroi se nuk ka arsye për optimizëm të tepruar, pasi marrëveshja mund të përballet me vështirësi gjatë zbatimit.
Dritëro Arifi e ka parë me kritikë mënyrën e zhvillimit të negociatave, duke e cilësuar procesin si të mbyllur dhe jotransparent.
Sipas Arifit, diskutimet janë zhvilluar pa informim publik, në një mënyrë që të krijonte përshtypjen e negociatave mes dy kompanive private për një tender ose projekt.
Vlerësimet për Bekim Sejdiun
Për Agon Maliqin, përvoja e Bekim Sejdiut në diplomaci dhe drejtësi përputhet me përgjegjësitë që mbart posti i presidentit.
Megjithatë, ai shtron pikëpyetje mbi aftësinë e Sejdiut për t’u përballur me betejat politike që mund ta presin në këtë detyrë.
Maliqi vlerëson se mbetet e paqartë nëse Sejdiu do të jetë në gjendje t’u rezistojë presioneve të një pushteti ekzekutiv që, sipas tij, ka shfaqur prirje dominuese dhe kërkon nënshtrim nga institucionet. Ai shton se Sejdiu nuk ka një parti pas vetes, edhe pse lidhet, në njëfarë mënyre, me orbitën e LDK-së.
Dritëro Arifi thekson se vetëm karriera profesionale nuk mjafton për të përcaktuar nëse dikush është i përshtatshëm për postin e presidentit.
Ai shprehet se Bekim Sejdiu mund të jetë një person dhe akademik shumë i mirë, por kjo nuk do të thotë automatikisht se është edhe politikan i shkëlqyer.
Arifi kërkon që kandidati t’i bëjë publike qëndrimet e tij për çështje strategjike, si përfshirja në projektet e gazit amerikan, dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pjesëmarrja në projektet rajonale të gazit, të mbështetura nga SHBA-ja, është kërkuar më herët nga partitë opozitare dhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë. Deri tani, Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti nuk ka ndërmarrë një hap të tillë.
Po ashtu, vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara e pezulluan nisjen e dialogut strategjik me Kosovën. Uashingtoni iu referua shqetësimeve për veprimet e Qeverisë së Kurtit, të cilat, sipas tij, kishin shtuar tensionet dhe paqëndrueshmërinë.
Dilemat brenda LDK-së
Një pengesë e rëndësishme për zgjedhjen e Sejdiut mund të jenë mospajtimet brenda LDK-së dhe sigurimi i numrit të nevojshëm të votave në Kuvend.
Maliqi thotë se matematika parlamentare e vendos LDK-në në pozitë të vështirë, duke qenë se partia mund të ketë nevojë për mbështetje edhe nga deputetë jashtë grupit të saj.
Sipas tij, sfida nuk lidhet vetëm me gjetjen e votave.
Maliqi e sheh si rrezik edhe mundësinë që Gjykata Kushtetuese ta zhvlerësojë procesin, pasi përbërja aktuale e Kuvendit ndodhet në një situatë të paqartë nga pikëpamja juridike.
Kjo vërejtje lidhet me afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Në një aktgjykim të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese përcaktoi se organi ligjvënës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve.
Ky afat tashmë është tejkaluar, ndërsa LVV-ja e Albin Kurtit pretendon se periudha prej 30 ditësh duhet të llogaritet nga 6 gushti, kur nisi seanca konstituive.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë mbajtur qëndrimin se afati i përcaktuar nga Kushtetuta është shkelur.
Edhe Dritëro Arifi paralajmëron se përçarjet brenda LDK-së mund ta dëmtojnë marrëveshjen, veçanërisht për shkak të qëndrimit të deputetëve që kanë kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit dhe LVV-në.
Arifi e konsideron marrëveshjen si një dakordim të arritur për t’i siguruar një zyrë një personi dhe për t’ia vazhduar qeverisjen Kurtit, pa një qëndrim të qartë politik dhe institucional nga LDK-ja.
Çfarë ndodh nëse Sejdiu nuk zgjidhet president?
Kushtetuta e Kosovës përcakton se, nëse Bekim Sejdiu dhe kundërkandidati i tij, cilido qoftë ai, nuk marrin votat e nevojshme në tri rundet e votimit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Agon Maliqi beson se në një situatë të tillë zgjedhjet e parakohshme nuk do të mund të shmangeshin.
Dritëro Arifi, ndërkaq, paralajmëron se dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta thellonte edhe më tej krizën institucionale në Kosovë. Sipas tij, vendi aktualisht ndodhet jashtë çdo ekuacioni diplomatik.
LVV-ja e Albin Kurtit siguroi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit. Bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë, kjo parti ka të paktën 61 vota, numër që mjafton për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së re.
Procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë. Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse.
Nëse 18 deputetët e LDK-së i bashkohen LVV-së, numri i votave arrin në të paktën 81. Ky rezultat do të mjaftonte për zgjedhjen e presidentit, nëse gjatë votimit do të ishin të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Megjithatë, ish-kryeministri Avdullah Hoti, një prej deputetëve të LDK-së, ka deklaruar publikisht se është kundër kandidaturës së Sejdiut.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë bërë të ditur më herët se do të qëndrojnë në opozitë. Aleanca ka paraqitur gjashtë kërkesa dhe ka deklaruar se do t’i japë shtatë votat e saj për formimin e institucioneve nëse LVV-ja i përmbush ato.
Kandidatura e Sejdiut u bë publike pas disa raundeve negociatash mes LVV-së dhe LDK-së. Fillimisht, dy partitë diskutuan për bashkëqeverisje, por ato bisedime dështuan. Më pas, negociatat u kufizuan vetëm te çështja e zgjedhjes së presidentit.
Nëse siguron mbështetjen e nevojshme në Kuvend, Bekim Sejdiu do të jetë presidenti i gjashtë i Kosovës. / REL
