NXËNËSI SHQIPTAR MËSON SHQIP, POR LIBRIN IA SHKRUAJNË TË TJERËT!..
Ka probleme në arsim për të cilat mund të thuhet se janë të ndërlikuara. Ka të tjera që nuk janë aspak të tilla. Ky është njëri prej tyre. Pyetja është e thjeshtë: Pse nxënësi shqiptar mëson në gjuhën shqipe, ndërsa teksti shkollor nga i cili mëson vazhdon të hartohet fillimisht në një gjuhë tjetër (maqedonase) dhe vetëm më pas të përkthehet në shqip?! Dhe pyetja e dytë është edhe më e rëndësishme: Si arritëm këtu, kur 26 vjet më parë u krijua një model që u jepte autorëve dhe botuesve shqiptarë mundësinë të hartonin tekste në shqip dhe të konkurronin me dorëshkrime të tjera në shqip?
Përgjigjja kërkon një kronologji. Jo akuza të përgjithshme, e as folklor politik.
Fakte, vendime, ligje dhe përgjegjësi.
VITI 2000: KUR U HAP DERA E KONKURRENCËS!
Deri në vitin 2000, monopolin e botimit të teksteve shkollore e mbante shtëpia botuese shtetërore “Prosvetno Dello”. Shoqata e Botuesve Shqiptarë e kundërshtoi fuqishëm këtë model, ndër të tjera për shkak të përkthimeve të papërshtatshme për nxënësit shqiptarë dhe përdorimit të toponimeve maqedonase në vend të emërtimeve shqipe.
Presioni solli një ndryshim, pavarësisht se nuk ishte ai ndryshim që kërkonte kjo Shoqatë e Botuesve Shqiptarë. Ministria e Arsimit vendosi që për një lëndë të mund të ekzistonin së paku dy tekste shkollore. Kjo ishte një kthesë e rëndësishme.
Sepse për herë të parë u krijua hapësirë reale për konkurrencë edhe në gjuhën shqipe.
Konkursi u hap për një numër të madh lëndësh, për klasat e pesta deri në të tetën. Autorë dhe botues shqiptarë hynë në garë me dorëshkrime të hartuara në shqip, jo në maqedonisht, siç është tani. Dhe ndodhi ajo që duhet të ishte mësim për çdo politikë arsimore: Kur iu dha mundësia të konkurronin në gjuhën e tyre, shqiptarët konkurruan dhe fituan. Shtëpia botuese “Logos – A” fitoi të drejtën e botimit për një numër të konsiderueshëm tekstesh. Pra, nëse dikush sot pyet nëse shqiptarët kanë pasur autorë të aftë për të shkruar tekste shkollore, përgjigjja ekziston në arkivat e vetë Ministrisë së Arsimit. Pra, kur gara ishte e hapur, autorët shqiptarë ishin aty. Dhe kjo duhet të jetë pika e nisjes së çdo debati të sotëm. Nuk po kërkohet të krijohet diçka që nuk ka ekzistuar. Po kërkohet të rikthehet një parim që ka ekzistuar dhe ka funksionuar.
PSE PROBLEMI NUK ISHTE VETËM TEK TEKSTET E AUTORËVE SHQIPTARË?!
Kur u krijuan tekstet alternative dhe u shfaqën botuesit shqiptarë në garë, sipas dëshmive dhe reagimeve publike të botuesve të asaj kohe, pati raste kur funksionarë dhe ministra shqiptarë orientonin drejtuesit e shkollave drejt blerjes së teksteve të “Prosvetno Dello”-s, duke lënë jashtë botimet shqiptare. Është një pjesë e pakëndshme e kësaj historie, por është e nevojshme të trajtohet me qetësi dhe pa paragjykim, sepse vetëm kështu mund të kuptohet se si u dobësua një model që sapo kishte filluar të funksiononte.
Problemi u thellua edhe më shumë nga mënyra se si përfaqësuesit shqiptarë nuk e përdorën hapësirën që sistemi arsimor kishte krijuar përmes modelit të dy ose më shumë teksteve alternative për një lëndë. Në vend që këtë mundësi ta shfrytëzonin për ta konsoliduar dhe përmirësuar konkurrencën, ata, përmes mosmbështetjes së botimeve alternative, kryesisht të “Logos-A”, kontribuuan në dobësimin gradual të këtij modeli.
Pra, një mekanizëm që ishte krijuar për të sjellë më shumë konkurrencë, më shumë zgjedhje dhe më shumë cilësi, në vend që të forcohej, u la të zbehej.
Dhe kjo është pjesa e vështirë për t’u pranuar: Nuk mjafton që sistemi ta hapë derën e konkurrencës, nëse ata që kanë përgjegjësi për ta mbrojtur atë derë nuk e përdorin mundësinë që u është dhënë. Në fund, nuk humbi vetëm një botues apo një alternativë botuese. U dobësua vetë parimi i konkurrencës në gjuhën shqipe.
PASTAJ U NDRYSHUA MODELI…
Dhe këtu fillon pjesa që sot nuk mund të anashkalohet. Me krijimin e këtij vakumi institucional, në vitet në vijim (pas vitit 2002) u bë e mundur një mgulfatje ligjore dhe institucionale që e ngushtoi edhe më tej konkurrencën. Me marrjen e kompetencave për botimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit nw vitin 2008 dhe me ligjin e vitit 2025 për botimin e teksteve shkollore, autori dhe botuesi shqiptar u përjashtuan, në thelb, nga konkurrimi i drejtpërdrejtë me dorëshkrime të hartuara në shqip.
Modeli u ndryshua rrënjësisht: Teksti hartohet dhe miratohet fillimisht në maqedonisht dhe pasi përzgjidhet, ai përkthehet në shqip, serbisht, turqisht etj.
Këtu qëndron thelbi i problemit. Sot nuk kemi një konkurs ku dorëshkrime të ndryshme të hartuara në shqip konkurrojnë për të përcaktuar tekstin më të mirë për nxënësit shqiptarë. Kemi një tekst burimor të përzgjedhur në një gjuhë tjetër, i cili më pas prodhohet në shqip përmes përkthimit. Dhe pyetja është e pashmangshme: Pse të mos konkurrojnë dorëshkrimet e hartuara drejtpërdrejt në shqip?! Jo dorëshkrimi shqip kundër dorëshkrimit maqedonisht.
Dorëshkrimi shqip kundër dorëshkrimit tjetër shqip. Autor kundër autorit. Ekip pedagogjik kundër ekipit pedagogjik. Metodologji kundër metodologjisë. Tekst kundër tekstit.
Dhe le të fitojë më i miri. Kjo nuk është çështje e gjuhës së përkthimit, por është çështje e gjuhës së krijimit të tekstit shkollor!
Një tekst shkollor nuk është një dokument administrativ që mjafton të përkthehet. Ai është pedagogji, metodologji, kulturë, gjuhë, identitet dhe mënyrë e të menduarit. Autori që shkruan drejtpërdrejt në shqip nuk përkthen një ide të krijuar diku tjetër; ai e ndërton dhe e shpjegon atë në mënyrën më të natyrshme për fëmijën që mëson në shqip. Prandaj, teksti shqip nuk duhet të jetë produkt dytësor i një teksti të krijuar në një gjuhë tjetër. Duhet të jetë krijim i parë, i pavarur dhe konkurrues. Dhe pastaj, le të vendosë gara.
PO SI DUHET TË FUNKSIONOJË KONKURRENCA?
Shumë thjesht. Për një lëndë që mësohet në gjuhën shqipe: Të hapet konkursi.
Të ftohen autorë shqiptarë, pedagogë, profesorë, arsimtarë dhe ekspertë të fushës.
Të hartohen dorëshkrime drejtpërdrejt në shqip. Të paraqiten në një konkurs ku të gjitha dorëshkrimet shqip vlerësohen mbi të njëjtat kritere. Të vlerësohet përmbajtja.
Metodologjia. Gjuha. Qartësia. Mosha dhe niveli i nxënësit. Përshtatshmëria pedagogjike. Saktësia shkencore. Cilësia didaktike. Dhe pastaj: Le të fitojë dorëshkrimi më i mirë.
Jo sepse është shqiptar. Jo sepse autori është shqiptar. Jo sepse botuesi është shqiptar.
Por sepse është më i mirë për nxënësin shqiptar. Kjo është njëkohësisht mënyra më e drejtë për ta mbrojtur shqipen dhe mënyra më e drejtë për të mos e kthyer këtë çështje në privilegj etnik.
DHE KËTU DUHET TË NDALEMI TEK ÇËSHTJA KUSHTETUESE…
Dikush mund të thotë: “Ligji kështu e përcakton.”
Po. Por kjo nuk është përgjigje e mjaftueshme. Sepse edhe në vitin 2000, kur Kushtetuta dhe ligjet ishin më pak të favorshme për shqiptarët, u mundësua që dorëshkrimet të hartoheshin dhe të konkurronin drejtpërdrejt në shqip. Pra, ajo që dikur ishte e mundur, sot nuk mund të paraqitet thjesht si diçka që “ligji nuk e lejon”.
Në një shtet kushtetues ekziston një parim themelor: Kushtetuta qëndron mbi ligjin. Prandaj, fakti që një procedurë është përcaktuar me ligj nuk e mbyll çështjen. Përkundrazi, pyetja juridike fillon pikërisht aty: A është në përputhje me Kushtetutën një model në të cilin nxënësi mëson në gjuhën shqipe, ndërsa teksti shkollor përgatitet dhe miratohet fillimisht në maqedonisht dhe shqipja hyn në proces vetëm në fazën e përkthimit?
Pyetja bëhet edhe më thelbësore kur ky model e vendos shqipen, në vetë procesin e krijimit të tekstit shkollor, në të njëjtën pozitë procedurale me gjuhët e komuniteteve të tjera, ndërkohë që shqiptarët kanë një status të veçantë kushtetues në nivel shtetëror, të përcaktuar edhe përmes kriterit të përfaqësimit prej 20 përqindësh. Ky status nuk mund të barazohet automatikisht me mënyrën se si Kushtetuta i përcakton të drejtat gjuhësore dhe qytetare të komuniteteve të tjera, të cilat në pjesë të caktuara lidhen me përqindje dhe me nivelin e ushtrimit të këtyre të drejtave.
Prandaj, çështja nuk është vetëm çfarë thotë ligji, por nëse mënyra se si ai ligj e rregullon hartimin dhe përzgjedhjen e teksteve shkollore është në përputhje me Kushtetutën, statusin kushtetues të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për arsim në gjuhën shqipe.
Nëse përgjigjja është po, atëherë duhet të jepet një shpjegim i qartë juridik: Pse ky model është kushtetues? Nëse përgjigjja është jo, atëherë ligji duhet të ndryshohet.
Dhe nëse ekziston dyshim serioz për përputhshmërinë e tij me Kushtetutën, institucionet nuk mund të fshihen pas procedurës. Ato kanë detyrimin ta shqyrtojnë çështjen në rrugën përkatëse juridike dhe të gjejnë zgjidhjen kushtetuese.
Sepse shqiptarët, me statusin e tyre kushtetues dhe si pjesë përbërëse e rendit shtetëror, nuk mund të trajtohen thjesht si një kategori statistikore brenda një procedure administrative, kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre për arsim dhe për përdorimin e gjuhës shqipe.
Prandaj, thënia e përsëritur: “Kështu e thotë ligji”, nuk është argument kushtetues.
Është vetëm përshkrim i një gjendjeje juridike.
Pyetja e vërtetë është: A e lejon Kushtetuta këtë gjendje? Dhe nëse përgjigjja është jo, atëherë detyrimi nuk është të na shpjegohet pse ekziston problemi. Detyrimi është të ndryshohet.
KËTU QËNDRON EDHE PËRGJEGJËSIA POLITIKE SHQIPTARE…
Është e lehtë të thuhet se fajin e ka politika hegjemoniste maqedonase. Por, pas 25 vjetësh, pyetja e përgjegjësisë duhet të na drejtohet edhe neve.
Kemi pasur ministra shqiptarë të Arsimit, deputetë dhe parti shqiptare në pushtet. Kemi pasur mundësi reale për të propozuar ndryshime ligjore, për të ndryshuar procedura dhe për të kërkuar shqyrtimin e tyre kushtetues.
Prandaj, nuk është më e mjaftueshme të thuhet: “Ligji kështu e përcakton.” Sepse pyetja është e thjeshtë: Kush e ka bërë ligjin dhe kush ka pasur mundësi ta ndryshojë?
Kjo nuk është përgjegjësi kolektive e shqiptarëve. Është përgjegjësi politike dhe institucionale e atyre që kanë pasur dhe kanë mandat, kompetencë dhe mundësi për të vepruar.
25 VJET JANË SHUMË PËR NJË “PROCEDURË”!…
Nëse një procedurë prodhon për 25 vjet të njëjtin rezultat, ajo nuk mund të trajtohet më si një realitet i pandryshueshëm. Nëse ligji është pengesë, ndryshohet. Nëse ngre dyshime kushtetuese, shqyrtohet. Nëse procedura është e papërshtatshme, reformohet.
Ajo që nuk mund të bëhet është që një kufizim institucional të paraqitet si fat i pandryshueshëm. Sepse pushteti nuk është vetëm e drejta për të firmosur. Është edhe përgjegjësia për të ndryshuar atë që nuk i shërben më interesit publik.
Çfarë duhet të kërkojmë? Jo privilegj. Jo kuotë fituese. Jo përjashtim të autorëve të tjerë. Dhe as konkurrencë mes gjuhëve. Kërkojmë diçka shumë më të thjeshtë: Për nxënësin që mëson në shqip, konkursi të hapet për dorëshkrime të hartuara drejtpërdrejt në shqip. Le të konkurrojnë mes tyre autorë, ekipe pedagogjike dhe botues të ndryshëm. Le të vlerësohen për përmbajtjen, metodologjinë, gjuhën, qartësinë, saktësinë shkencore dhe përshtatshmërinë pedagogjike. Dhe pastaj, le të fitojë më i miri. Jo sepse është shqiptar. Jo sepse autori apo botuesi është shqiptar. Por sepse është libri më i mirë për nxënësin shqiptar. Kjo nuk është privilegj. Kjo është meritokraci, sepse libri shkollor nuk është një copë letër. Ai është takimi i parë i fëmijës me dijen. Përmes tij fëmija mëson historinë, shkencën, matematikën, shoqërinë dhe botën. Prandaj, shqipja nuk duhet të jetë vetëm gjuhë në të cilën përkthehet një tekst i krijuar diku tjetër.
Shqipja duhet të jetë edhe gjuhë e krijimit të tekstit shkollor.
Teksti i shkruar drejtpërdrejt në shqip mund të jetë më i mirë, më i dobët apo i shkëlqyer. Por këtë duhet ta vendosë gara, jo prejardhja e autorit dhe as gjuha nga e cila është përkthyer.
25 VJET PAS OHRIT, KJO NUK DUHET TË JETË MË ÇËSHTJE PARTIAKE!
Është çështje e fëmijës, e arsimit, e gjuhës, e cilësisë dhe e përgjegjësisë institucionale. Prandaj, nuk kërkojmë që libri shqiptar të privilegjohet. Kërkojmë që dorëshkrimi i hartuar në shqip të ketë të drejtën të konkurrojë me dorëshkrime të tjera të hartuara në shqip. Dhe pastaj, pa privilegj për askënd, le të fitojë më i miri.
Sepse vetëm kështu i japim shqipes atë që i takon: jo privilegjin e fitores, por të drejtën e konkurrencës. Pyetja e sotme nuk është nëse kemi autorë shqiptarë. E dimë se i kemi.
Pyetja është: Pse, pas 25 vjetësh, ata ende nuk e kanë të drejtën të hartojnë dorëshkrimet e tyre në shqip dhe të konkurrojnë me dorëshkrime të tjera shqip?
Kjo nuk kërkon përgjigje patriotike. Kërkon përgjigje institucionale, ligjore, politike dhe profesionale. Dhe pyetja u takon edhe atyre që e patën dhe e kanë çelësin.
Jo me zemërim. Jo me hakmarrje. Por me përgjegjësinë që u takon atyre që kanë mbajtur apo sot mbajnë poste publike. Çfarë bëtë me mundësinë që patët? Sepse pushteti nuk është vetëm mundësi për të qeverisur. Pushteti është edhe përgjegjësi për të ndryshuar atë që duhet ndryshuar.
25 VJET JANË MJAFT!
Mjaft me përgjigjen “kështu e thotë ligji”. Nëse ligji është pengesë, ndryshojeni, dhe nëse procedura nuk i jep fëmijës librin më të mirë të mundshëm, ndryshojeni procedurën. Sepse fëmija shqiptar nuk ka nevojë për një libër që thjesht është përkthyer në shqip. Ka nevojë për librin më të mirë që mund të shkruhet në shqip.
Azam Dauti, botues
