Shkup, 31 gusht Zhurnal.mk – Problemi lidhur me paralelen në gjuhën shqipe në SHF “Penko” është zgjidhur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, i cili përmes një publikimi ka theksuar se zgjidhja është arritur në përputhje të plotë me Ligjin për Arsimin Fillor dhe, mbi të gjitha, në interesin më të mirë të nxënësve.
“Me kënaqësi ju njoftoj se çështja e paraleles në gjuhën shqipe në SHF ‘Penko’ është zgjidhur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit”, ka shkruar Sulejmani.
Sipas tij, zgjidhja garanton respektimin e të drejtës së nxënësve për arsimim dhe krijon kushtet e nevojshme për vijimin e mësimit në gjuhën shqipe.
Sulejmani ka theksuar se ky rast dëshmon se dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve mund të prodhojnë zgjidhje konkrete, veçanërisht kur në qendër të vëmendjes janë interesat e fëmijëve.
“Ky është një shembull se përmes dialogut, koordinimit dhe bashkëpunimit institucional mund të gjenden zgjidhje konkrete dhe në interes të fëmijëve tanë. Arsimi dhe e ardhmja e nxënësve janë gjithmonë prioriteti ynë”, ka deklaruar zëvendësministri Sulejmani.
Me zgjidhjen e kësaj çështjeje, nxënësit shqiptarë të SHF “Penko” do të mund të vazhdojnë procesin mësimor në gjuhën shqipe, ndërsa institucionet kanë riafirmuar përkushtimin për respektimin e të drejtës për arsimim dhe trajtim të barabartë të të gjithë nxënësve.
