Adnan Azizi: Gëzim Ostreni e konfirmoi, Ali Ahmeti bëri kompromise me Marrëveshjen e Ohrit

Nga I.A
1,041 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka rikthyer në debat çështjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke vlerësuar se marrëveshja e vitit 2001 nuk i përmbushi aspiratat e plota të shqiptarëve.

Azizi thotë se shqiptarët që morën pjesë në luftë nuk luftuan për poste apo privilegje, por për liri, barazi dhe të drejta kombëtare. Sipas tij, një pjesë e luftëtarëve që kundërshtuan mënyrën se si po zhvilloheshin proceset pas luftës përfunduan të vrarë, të burgosur ose të harruar.

“Ushtarët, veprimtarët dhe atdhetarët e UÇK-së nuk hynë në luftë për pushtet, poste apo privilegje, por për liri, barazi dhe të drejta kombëtare”, shprehet Azizi.

Ai përmend edhe Komandant Kushtrimin, Harun Aliun si një nga zërat që, sipas tij, kundërshtuan devijimin e qëllimeve të luftës dhe Marrëveshjen e Ohrit.

Në këtë kontekst, Azizi i referohet edhe dëshmive të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Gëzim Ostrenit, duke argumentuar se pas 25 vitesh duhet të rishikohet pa tabu mënyra se si është trajtuar Marrëveshja e Ohrit dhe proceset që e kanë shoqëruar atë.

“Ohri ishte kompromis për ta ndalur luftën, jo përmbushje e plotë e aspiratave shqiptare”, thekson deputeti i VLEN-it.

Sipas Azizit, Marrëveshja e Ohrit nuk solli realizimin e plotë të kërkesave shqiptare sa i përket gjuhës shqipe, flamurit kombëtar dhe trajtimit të shqiptarëve si të barabartë në shtet.

Debati për trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit rikthehet në vëmendje në prag të 25-vjetorit të nënshkrimit të saj, ndërsa Azizi kërkon që kjo periudhë të analizohet “pa frikë dhe pa mite”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër