Shkup, 1 shtator, Zhurnal.mk – Që nga 1 shtatori VMRO‑DPMNE fillon një kampanjë të madhe për azhurnimin e anëtarësimit ekzistues dhe hapjen e partisë për anëtarë të rinj nën moton “Së bashku për të ardhmen – Bashkohu!”. Në periudhën deri më 30 nëntor, VMRO‑DPMNE do të zbatojë një proces me të cilin do të bëjë edhe një hap të rëndësishëm në zhvillimin e partisë, me qëllim ndërtimin e një organizate politike më moderne, më të organizuar dhe edhe më të fortë, e cila është e përgatitur për të ardhmen, qëndron në kumtesën e VMRO‑DPMNE.
– Ne kemi histori shumëdekadëshe, organizatë të fortë dhe anëtarësi të madhe, ndërsa forca e VMRO‑DPMNE janë njerëzit që me dekada janë pjesë e partisë, që kanë besuar dhe kontribuar edhe në periudhat më të vështira, por edhe gjeneratat e reja që sjellin dije, ide, energji dhe dëshirë të kontribuojnë aktivisht për të ardhmen e Maqedonisë. Dhe në atë drejtim mesazhi i kampanjës është i qartë dhe i thjeshtë: “rinovo anëtarësimin, ji aktiv dhe ji pjesë e së ardhmes”. Duke filluar nga sot në periudhë prej tre muajsh, çdo anëtar ekzistues do të mund t’i konfirmojë ose azhurnojë të dhënat e veta, ndërsa njëkohësisht, VMRO‑DPMNE i hap dyert për çdo qytetar që e pranon programin e partisë dhe dëshiron të bashkohet, thonë ata.
VMRO‑DPMNE është parti e hapur për dije të reja, aftësi dhe energji dhe për secilin që ka ide, dije, energji dhe dëshirë të kontribuojë, vendi i tij është me ne.
Në kuadër të procesit, për herë të parë në Maqedoni futet mënyrë plotësisht digjitale e anëtarësimit dhe azhurnimit të anëtarësisë partiake dhe për këtë qëllim komisioni ynë IT ka përgatitur aplikacion web i cili tashmë është vënë në funksion në komitetet komunale. Ndërsa, versioni mobil i aplikacionit është dorëzuar te Google dhe Apple dhe pas miratimit të tij do të jetë i qasshëm edhe për telefonat mobilë. Me procesin digjital, aplikimi, verifikimi, pranimi i Statutit dhe konfirmimi i anëtarësimit do të mund të përfundojnë digjitalisht për vetëm disa minuta nga telefoni. Kjo është edhe një hap drejt VMRO‑DPMNE moderne, efikase dhe teknologjikisht të avancuar, e cila ndryshon me kohën dhe i përdor teknologjitë bashkëkohore për të qenë më afër anëtarëve të vet, qytetarëve dhe para së gjithash gjeneratave të reja. Por, në këtë proces, askënd nuk e lëmë pas, sepse digjitalizimi është mundësi shtesë, e jo zëvendësim për mënyrën e deritanishme të anëtarësimit dhe azhurnimit të anëtarësisë dhe secili që dëshiron ta bëjë këtë personalisht, do të mund ta bëjë në komitetet komunale. Që nga sot, 1 shtator deri më 30 nëntor, çdo ditë nga ora 17:00 deri në 20:00, komitetet komunale të VMRO‑DPMNE do të jenë të hapura për anëtarët dhe për të gjithë qytetarët që duan të bashkohen, qëndron në kumtesë.
Si edhe deri më tani, të dhënat personale do të përpunohen sipas dispozitave ligjore në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
VMRO‑DPMNE i fton të gjithë anëtarët e vet ta rinovojnë dhe azhurnojnë anëtarësimin e tyre, ndërsa të gjithë qytetarët që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e partisë, por duan të kontribuojnë aktivisht për një Maqedoni më të fortë dhe më të suksesshme, të bashkohen, sepse me këtë proces e lidhim përvojën dhe traditën me energjinë e re. Vendi yt është me ne, sepse së bashku jemi më të fortë dhe së bashku ecim përpara. Së bashku për të ardhmen Bashkohu! Për VMRO‑DPMNE, për Maqedoninë, thonë VMRO‑DPMNE.
