Sot shpallet aktgjykimi ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

Nga D V
868 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 shtator, Zhurnal.mk – Gjykata pritet të shpallë sot, më 2 shtator, aktgjykimin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Shqyrtimi gjyqësor ndaj Sveçlës ka përfunduar më 28 gusht, ndërsa trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Sabit Sadikaj, ka caktuar 2 shtatorin si datë për shpalljen e aktgjykimit.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Prokurori Avni Namani ka deklaruar se provat e administruara gjatë procesit dëshmojnë se Sveçla kishte aktivizuar një bombolë të gazit lotsjellës dhe e kishte hedhur brenda sallës së Kuvendit.

Sipas Prokurorisë, në video-incizimin e seancës shihet momenti i aktivizimit dhe hedhjes së gazit, ndërsa në sallën plenare janë gjetur disa bombola të gazit lotsjellës. Në raportin e vendit të ngjarjes, sipas aktakuzës, janë dokumentuar gjithsej 18 dëshmi materiale.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke argumentuar se nuk është provuar përtej dyshimit se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Avokati Luar Prenaj ka thënë se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa ka kundërshtuar edhe interpretimin e pamjeve filmike dhe simptomat e pretenduara te deputetët pas hedhjes së gazit.

Edhe vetë Sveçla, në fjalën përfundimtare, e ka cilësuar veprimin për të cilin po gjykohet si aktivitet politik, duke thënë se qëllimi ishte kundërshtimi dhe parandalimi i ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, kishte deklaruar Sveçla.

Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, kur në Kuvendin e Kosovës u hodh gaz lotsjellës gjatë seancës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Për këtë rast, përveç Sveçlës, aktakuza e ngritur më 29 korrik 2019 përfshinte edhe ish-deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba.

Sveçla është deklaruar i pafajshëm në këtë proces.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër