Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se bizneset nuk përballen vetëm me barrën e taksave, por edhe me presionin e zyrtarëve shtetërorë që sipas saj fokusohen te subjektet që respektojnë ligjin, ndërsa tolerojnë evazorët fiskalë.
“Vetëm gjatë viteve 2022 dhe 2023, administrata tatimore ka vendosur 4,6 miliardë lekë penalitete”, tha ajo.
Sipas Tabakut, në vend që qeveria të përqendrohet te ekonomia informale që sipas saj përbën rreth 40% të ekonomisë, presioni po ushtrohet ndaj biznesit të rregullt.
“Në Shqipëri, gjatë vitit 2024, janë vendosur 28 milionë euro penalitete. Në Serbi janë vendosur 4,6 milionë euro, ndërsa në Malin e Zi 1,4 milionë euro. Ky është një krahasim i thjeshtë për të treguar se si gjoba po kthehet në mjet presioni”, tha ajo.
Tabaku kërkoi gjithashtu më shumë transparencë mbi sistemin e gjobave.
“Ne ende nuk kemi një pasqyrë të plotë dhe transparente: sa gjoba vendosen, sa prej tyre arkëtohen, sa rrëzohen pas ankimeve ose nga gjykatat dhe, në fund, kujt i falen. Kemi dëgjuar për krijimin e bordeve dhe agjencive për gjithçka, por nuk kemi pasur transparencë reale mbi sistemin e gjobave. Regjistri i Unifikuar i Gjobave u krijua vetëm në vitin 2026, pas më shumë se një dekade gjobash, mosrakordimi dhe mungese informacioni”, tha ajo.
Tabaku e cilësoi sistemin aktual si një mekanizëm që rrit presionin ndaj biznesit dhe e përdor gjobën si instrument kontrolli.
“Ka një arsye pse Shqipëria është kthyer në vendin ku gjoba përdoret kaq shpesh. Ka një arsye pse tatimorët sillen si kaubojsa që trokasin në dyert e bizneseve. Dhe ka një arsye pse qytetarët nuk e dinë sa gjoba vendos qeveria, sa prej tyre mbledh dhe sa fal. Është sistemi i ndërtuar gjatë këtyre viteve.
“Një sistem socialist që kërkon të komandojë gjithçka nëpërmjet një autokracie gjobash dhe taksës së korrupsionit. Ky sistem duhet rrëzuar, sepse sa më shumë zgjat, aq më shumë shtohen gjobat, aq më të larta bëhen penalitetet dhe aq më shumë rritet presioni ndaj biznesit”, tha ajo.
