Abrashi konfirmon Haxhiun për kryetare të Kuvendit: Së pari konstituimi, pastaj vazhdojmë me të tjerat

Nga D V
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, tha para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, se fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit dhe më pas të vazhdohet me çështjet e tjera.

“Ta shohim njëherë, le të kryhet Kuvendi, le të votohet kryetarja, le të konstituohet kryesia, pastaj vazhdojmë rrjedhën edhe për të tjerat”, ka thënë Abrashi.

I pyetur nëse Albulena Haxhiu do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit, Abrashi është përgjigjur duke pohuar.a

“Po, po, Albulena”, tha ai.

Sot do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, pasi në dy tentime paraprake në muajin gusht, LVV-ja kishte kërkuar kohë për të arritur marrëveshje politike për çështjen e presidentit.

Ndërkohë, KosovaPress ka mësuar nga burime brenda LVV-së se ka ende pikëpyetje nëse sot do të formohet edhe qeveria e re.

LVV dhe LDK më 31 gusht kishin arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të propozohet për president të vendit. Këto dy parti, bashkë me minoritetet jo-serbe, i kanë 80 vota të nevojshme për ta zgjedhur presidentin.

Mirëpo, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së më 1 shtator u bë e ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do të mundësojnë zgjedhjen e Sejdiut për president.

Pavarësisht kritikave se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit tridhjetëditor, PDK dhe LDK kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të jenë të pranishëm në Kuvend. /KP/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër