Skandaloze, Simiq propozoi “në emër të popullit serb” në Kuvendin e Kosovës – reagime të ashpëra

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ka propozuar Slavko Simiqin për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

Simiq tha se kandidatura është bërë në emër të popullit serb, me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb.

“Në emër të popullit serb, me nënshkrimet e shumicës së deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb, përkatësisht 9 nga 10 deputetë, propozojmë zotin Slavko Simiq si kandidat për nënkryetar të Kuvendit”, deklaroi ai.

Ky propozim ka nxitur reagime të shumta nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar duke thënë se deputeti i Listës Serbe, sipas saj, ka sulmuar Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit.

“E tash pritini këta që na tregojnë që nuk paska rëndësi që deputeti i Listës Serbe sulmon Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit”, ka shkruar Gërvalla.

Edhe deputeti i LVV-së, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së Simiqit, duke thënë se Lista Serbe nuk përfaqëson të gjithë popullin serb në Kosovë.

“Duhet të jetë e qartë: Lista Serbe nuk është populli serb”, ka shkruar Hoti.

Ai ka theksuar se kandidati nga komuniteti serb për nënkryetar të Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, sipas rregullave kushtetuese të Kosovës.

Hoti e ka akuzuar gjithashtu Listën Serbe për, siç pretendon ai, shndërrimin e të drejtave të komunitetit në instrument të politikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Kosova nuk është Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk është Beograd”, ka përfunduar Hoti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër