Këln, 9 shtator, Zhurnal.mk – Rreth 9 mijë persona morën pjesë dje në mbrëmje në një protestë kundër të djathtës ekstreme në qytetin gjerman të Këlnit.
Protesta u zhvillua me sloganin: “Ndalni ekstremizmin e djathtë në Saksoni-Anhalt dhe kudo – forconi demokracinë!”
Ajo u organizua nga një koalicion grupesh pas fitores në zgjedhjet e landit të Saksoni-Anhaltit të Alternativës për Gjermaninë (AfD), parti e krahut të djathtë ekstrem.
Organizatorët thanë se protesta synonte t’u jepte qytetarëve mundësinë të reagonin ndaj rezultatit të zgjedhjeve, të shprehnin kundërshtimin e tyre dhe të diskutonin pasojat e fitores së AfD-së.
Ata paralajmëruan se nëse ekstremistët e djathtë arrijnë, për herë të parë të marrin pushtetin, në një nga landet gjermane, demokratët duhet të reagojnë fuqishëm.
Koalicioni kërkoi një qëndrim të fortë demokratik kundër AfD-së, si në parlamentet e landeve, ashtu edhe në shoqërinë gjermane.
Protestuesit thanë se synojnë të mbrojnë demokracinë, shtetin social, vlerat e Kushtetutës gjermane, diversitetin dhe dinjitetin njerëzor, ndërsa kundërshtojnë racizmin, antisemitizmin, urrejtjen dhe dhunën.
Organizatorët kundërshtuan gjithashtu çdo përpjekje për ta normalizuar AfD-në ose për të bashkëpunuar politikisht me të.
