Merz e cilëson AfD-në një “forcë shkatërruese” që synon të destabilizojë Gjermaninë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka sulmuar ashpër partinë e ekstremit të djathtë AfD, duke e cilësuar atë një “forcë shkatërruese” që synon të destabilizojë Gjermaninë.

Deklarata e tij erdhi pas zgjedhjeve në landin lindor të Saksoni-Anhalt, ku AfD-ja arriti një rezultat rekord prej 43,8% të votave, duke iu afruar shumicës absolute.

Ndërkohë, partia e Merz, CDU-ja, pësoi humbje të ndjeshme dhe mori vetëm 17,2%.

Në debatin e parë në parlament pas zgjedhjeve, Merz akuzoi AfD-në për përçmim të institucioneve demokratike.

Ai kritikoi gjithashtu kërkesat e saj për “remigrim”, term që përdoret nga qarqet e ekstremit të djathtë për dëbime në shkallë të gjerë të emigrantëve, duke e krahasuar këtë politikë me “spastrimin etnik”.

Merz kritikoi edhe qëndrimin pro-rus të AfD-së, duke deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, pasi sipas tij, Ukraina po mbron edhe lirinë e Gjermanisë.

Nga ana tjetër, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel deklaroi se rezultati në Saksoni-Anhalt tregoi se koalicioni qeverisës i CDU-së me SPD-në ka marrë fund.

Ajo akuzoi Merz se po e çon Gjermaninë drejt një borxhi të papërballueshëm.

Merz sinjalizoi gjithashtu se qeveria mund të rishikojë disa pjesë të reformës së pensioneve, e cila ka shkaktuar kundërshtime.

Në veçanti, është kritikuar plani për të hequr mundësinë që personat me 45 vite kontribute, të dalin në pension pa ulje të pensionit që në moshën 63 vjeç.

Ndërkohë, në Saksoni-Anhalt ende nuk ka një rrugë të qartë për formimin e qeverisë.

Partitë kryesore kanë përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në.

Megjithatë, AfD-ja mund të përpiqet të krijojë një qeveri minoritare, nëse siguron mbështetje nga parti të tjera ose nga deputetë individualë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër