Shkup, 10 shtator, Zhurnal.mk – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka deklaruar se mbështet iniciativën e PLD-së për kufizimin e shtetësisë së dyfishtë për zyrtarët dhe kërkon që projektligji i propozuar më herët nga kjo parti të rikthehet në procedurë parlamentare. Nga LSDM thonë se ligji duhet të zbatohet pa përjashtime, përfshirë deputetët e përbërjes aktuale të Kuvendit, ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike. Por, a është i drejtë ky ligj dhe si qëndron puna në vendet e rajonit me nënshtetësinë e dyfishtë për funksionarët shtetëror, shkruan “Zhurnal.mk”.
LSDM kërkon që funksionarët mos të kenë dyshtetësi!
LSDM tashmë ka paraqitur një projektligj për shtetësinë e dyfishtë. Ai duhet të vlejë edhe për deputetët e kësaj përbërjeje, për ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike. Ligji duhet të vlejë për të gjithë.
Nga kjo parti theksojnë se, ndërsa po zhvilloheshin festimet për 35-vjetorin e pavarësisë së vendit, Ligji për Kufizimin e Shtetësisë së Dyfishtë të Zyrtarëve ka mbetur i bllokuar.
LSDM thekson se nuk ka vend për heshtje ndaj atyre që vetë e propozuan ligjin, duke iu referuar VMRO DPMNE-së dhe tani po e shmangin atë. Nuk ka vend për zyrtarë që marrin pagë nga shteti, ndërsa besnikëria e tyre është e ndarë.
Partia opozitare kërkon që iniciativa e PLD-së të shqyrtohet menjëherë në Kuvend dhe ligji të miratohet pa vonesa dhe pa kompromis.
LSDM thotë se pavarësia e vërtetë dhe patriotizmi i vërtetë dëshmohen me besnikëri ndaj një shteti – Maqedonisë.
Si qëndron situata në shtetet e rajonit!
Në Shqipëri, shtetësia e dyfishtë lejohet gjerësisht nga ligji. Zyrtarët publikë dhe ministrat mund të kenë dy shtetësi. Megjithatë, ekziston një përjashtim kushtetues shumë i rëndësishëm: Presidenti i Republikës nuk mund të ketë shtetësi tjetër përveç asaj shqiptare. Nëse një kandidat ka dy shtetësi, ai duhet të heqë dorë nga shtetësia e huaj përpara se të betohet. Për postet e tjera (si deputetë apo ministra), nuk ka ndalim të drejtpërdrejtë, por zyrtarët që kanë qasje në sekrete shtetërore i nënshtrohen certifikimit të sigurisë, ku mbajtja e një shtetësie të dytë vlerësohet për risqe të mundshme të konfliktit të interesit.
Në Kosovë, sipas Ligjit për Shtetësinë e Kosovës, shtetësia e shumëfishtë lejohet plotësisht. Zyrtarët publikë, deputetët dhe ministrat mund të mbajnë një shtetësi tjetër (p.sh. shumë prej tyre kanë edhe shtetësinë e Shqipërisë ose të vendeve perëndimore). Pengesat shfaqen kryesisht në organet e sigurisë dhe inteligjencës (si AKI, Policia e Kosovës apo FSK), ku rekrutimi ose pajisja me certifikatë sigurie të nivelit të lartë mund të kushtëzohet ose të ketë kritere strikte nëse personi ka varësi juridike apo detyrime ndaj një shteti tjetër.
Turqia ka një nga ligjet më liberale në rajon sa i përket shtetësisë së dyfishtë. Ligji turk i shtetësisë (Ligji nr. 5901) e lejon plotësisht shtetësinë e shumëfishtë pa kërkuar heqjen dorë nga pasaporta e pare. Nuk ka asnjë ndalim kushtetues që deputetët e Parlamentit Turq apo ministrat të kenë shtetësi të dytë. Kushtetuta nuk i përjashton ata dhe as nuk i detyron ligjërisht ta deklarojnë atë gjatë kandidimit. Kufizimet kryesore shfaqen në strukturat e inteligjencës (MIT), ushtri dhe postet e larta diplomatike. Personat me shtetësi të dyfishtë mund të përballen me pengesa gjatë verifikimit të sigurisë për shkak të rrezikut të “besnikërisë së ndarë” apo detyrimeve ushtarake në shtetin tjetër.
Greqia e lejon shtetësinë e dyfishtë për qytetarët e thjeshtë, por kur bëhet fjala për funksionarët e shtetit, kuadri ligjor është shumë më i rreptë. Ligji grek ndalon pjesëmarrjen në jetën e lartë politike dhe publike për personat që mbajnë një shtetësi tjetër. Deputetët, ministrat, gjyqtarët dhe oficerët e ushtrisë ose të policisë e kanë të ndaluar me ligj të mbajnë shtetësi të dyfishtë.
Serbia lejon shtetësinë e dyfishtë në parim, veçanërisht për pjesëtarët e komunitetit serb në diasporë (si në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi apo diasporën e gjerë). Në përgjithësi, ligji serb nuk e ndalon në mënyrë eksplicite një deputet apo ministër të ketë shtetësi të dyfishtë (shumë politikanë serbë kanë pasur apo kanë lidhje të dyfishta me vendet fqinje). Ashtu si në pjesën tjetër të Ballkanit, “vija e kuqe” është e vendosur te ligjet që rregullojnë Mbrojtjen, Punët e Brendshme (Policinë) dhe Agjencitë e Inteligjencës (BIA). Për t’u punësuar ose për të marrë një pozicion drejtues në këto institucione, kandidati duhet të jetë ekskluzivisht shtetas i Serbisë dhe të kalojë certifikimin e sigurisë, gjë që e bën praktikisht të pamundur mbajtjen e një pasaporte të dytë për këto pozicione
A është e drejtë që të kufizohet dyshtetësia në Maqedoninë e Veriut!
Në Maqedoninë e Veriut, ligji e lejon shtetësinë e dyfishtë. Ashtu si në vendet e tjera, kufizimet lidhen me pozicionet në sferën e mbrojtjes, ushtrisë, inteligjencës dhe diplomacisë, ku zotërimi i një shtetësie të dytë mund të bëhet pengesë për marrjen e certifikatave të sigurisë “sekret shtetëror” ose për emërime në krye të këtyre institucioneve.
Në Maqedoninë e Veriut, numrin më të madh të shtetësive të dyfishta e mbajnë maqedonasit që kanë marrë pasaporta bullgare dhe shqiptarët që kanë pasaporta të Kosovës osë Shqipërisë.
Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve bullgare, nga viti 2007 e deri në fillim të vitit 2026, mbi 216,500 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare. Kjo do të thotë se mbi 10% e popullsisë së vendit gëzon edhe shtetësinë bullgare.
Tek shqiptarët, ekziston një numër shumë i madh që kanë edhe shtetësinë e Kosovës. Kjo vjen kryesisht për shkak të martesave ndërshtetërore, lidhjeve të ngushta familjare në rajonet kufitare (si Shkupi, Tetova, Kumanova me Kosovën) dhe zhvendosjeve historike.
Një numër i konsiderueshëm qytetarësh (si maqedonas ashtu edhe shqiptarë) që kanë emigruar prej dekadash mbajnë shtetësi të dyfishtë të vendeve si Gjermania, Zvicra, Italia, SHBA apo Australia.
Ka gjithashtu një numër më të vogël të qytetarëve nga pakicat që mbajnë shtetësi të dyfishtë të Serbisë apo Turqisë.
Nëse duhet të hiqet dyshtetësia për funksionarët, duhet parë në disa këndvështrime. Në raste krizash diplomatike, tregtare apo ushtarake midis dy vendeve, një zyrtar me shtetësi të dyfishtë mund të gjendet në një pozicion ku interesat e shtetit të dytë bien ndesh me ato të shtetit ku ai shërben. Këtu vlen të përmendet se disa funksionarë kanë nënshtetësi të Bullgarisë, por kjo e fundit e bllokon procesin e integrimit.
Gjithashtu, nëse një funksionar kryen shkelje ligjore apo korrupsion, ai mund t’i shpëtojë drejtësisë duke u strehuar në shtetin e tij të dytë, sidomos nëse ky i fundit nuk i ekstradon shtetasit e vet.
Por, shumë profesionistë të talentuar që kanë jetuar jashtë vendit kanë marrë shtetësi të dyfishtë. Ndalimi i tyre për të mbajtur poste publike e privon shtetin nga përvoja, investimet dhe dija e diasporës. Shtetësia e dyfishtë është një realitet i jetës moderne në një botë të globalizuar. Kufizimi i të drejtës për të kandiduar apo shërbyer në institucione mund të konsiderohet si diskriminim ndaj një pjese të qytetarëve.
Në rajonin e Ballkanit, ku kufijtë etnikë dhe shtetërorë nuk përputhen plotësisht, shtetësia e dyfishtë ndihmon në ruajtjen e lidhjeve kulturore dhe familjare, ndërsa ndalimi i saj mund të krijojë tensione ndëretnike. Andaj, të gjitha këto fakte duhet parë e analizuar, para se të merret një vendim që mund të bllokojë funksionimin e shtetit në të arghmen, shkruan “Zhurnal.mk”.
