Shkup, 10 shtator, Zhurnal.mk – Në një kohë kur çdo gjë është shtrenjtuar nga produktet bazike deri te shërbimet publike jeta e qytetarëve është bërë dukshëm më e vështirë. Në këtë realitet, energjia elektrike mbetet një nga kushtet themelore për jetesë pasi përdoret çdo ditë, në çdo familje, në çdo biznes. Prandaj, çdo lëvizje në çmimin e saj reflekton drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve dhe në standardin e përgjithshëm të jetesës. Ulja e çmimit të rrymës është një faktor social që prek mirëqenien e përditshme të shoqërisë, shkruan Zhurnal.
Do të ulet apo do të ngrihet çmimi i energjisë elektrike?
Kryeministri, Hristijan Mickoski, ka dhënë një mesazh të qartë qytetarët nuk duhet të presin rritje të çmimit të energjisë elektrike. Madje, sipas tij, po punohet për mundësinë që ky çmim të ulet. Ai ka paralajmëruar një metodologji të re, e cila synon ruajtjen e çmimit aktual, por edhe hapjen e mundësisë për ta bërë energjinë më të lirë.
Deklarata e kryeministrit Mickoski vjen në një kontekst të ndjeshëm, ku sektori energjetik përballet me sfida të mëdha nga varësia ndaj importit deri te presionet e tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, kryeministri ka theksuar se që nga ardhja e kësaj qeverie, çmimi i energjisë për amvisëritë nuk ka pësuar rritje reale. Kjo, sipas tij është dëshmi e stabilitetit që po synohet të ruhet.
Në këtë kontekst, Mickoski ka shtuar se vendin e pret një dimër i qëndrueshëm sa i përket furnizimit me energji. Mesazhi politikisht është i qartë se qeveria dëshiron të paraqitet si garantuese e stabilitetit energjetik dhe si faktor që mbron standardin e qytetarëve. Por dilema mbetet se a është ky një premtim i realizueshëm apo një retorikë politike për të qetësuar opinionin publik?
Sa ndihmon qytetarët një ulje e theksuar e çmimit të energjisë elektrike?
Një ulje e dukshme e çmimit të energjisë elektrike do të kishte efekt të menjëhershëm në buxhetet familjare. Për amvisëritë, kjo do të thotë më pak shpenzime mujore dhe më shumë hapësirë për të përballuar koston e produkteve të tjera që vazhdojnë të shtrenjtohen. Në një kohë krize ekonomike, çdo kursim i tillë është i ndjeshëm dhe i mirëpritur.
Nga ana tjetër, bizneset veçanërisht ato të vogla dhe të mesme do të përfitonin nga ulja e kostove operative. Energjia elektrike është një nga shpenzimet kryesore për prodhim dhe shërbime, prandaj një çmim më i ulët do të ndihmonte në rritjen e konkurrueshmërisë dhe në stabilitetin e tyre financiar.
Në shikim më të gjerë një ulje e çmimit të energjisë elektrike do të kishte ndikim edhe në klimën sociale dhe politike. Qytetarët do ta perceptonin si një masë konkrete që lehtëson jetën e tyre, duke rritur besimin te institucionet. Megjithatë, kjo ulje duhet të jetë e qëndrueshme dhe jo e përkohshme sepse çdo rikthim i shtrenjtimit do të krijonte zhgënjim dhe pakënaqësi të madhe.
Kujtojmë që, çmimi i energjisë elektrike është tregues i standardit të jetesës dhe i politikave publike. Premtimi i kryeministrit Mickoski për ruajtjen ose uljen e çmimit është një sinjal i fortë politik, por mbetet për t’u parë nëse do të përkthehet në realitet ekonomik. Nëse ulja realizohet, ajo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në stabilitetin e biznesit. Por nëse mbetet vetëm premtim, do të shndërrohet në një tjetër zhgënjim për shoqërinë që tashmë përballet me kosto të larta të jetesës. /Zhurnal.mk
