Pas ziles së shtatorit ra alarmi PISA-s, e ardhmja RMV-së në duar të nxënësve nën mesataren!

Nga I.A
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 shtator, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut si shumë shtete të tjera të rajonit u trondit nga të dhënat e fundit të testit ndërkombëtar PISA. Pas ziles së parë të shtatorit, që shënon fillimin e vitit shkollor ra edhe një alarm tjetër ky i PISA-s duke nxjerrë në pah gjendjen shqetësuese të arsimit. Rezultatet e dobëta janë pasqyra e një krize të thellë që prek gjeneratën e re dhe për pasojë të ardhmen e vendit, shkruan Zhurnal.

Rezultatet e PISA-s për Maqedoninë e Veriut

Rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) tregojnë se nxënësit 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mbeten nën mesataren ndërkombëtare në tri fusha kyçe matematikë, lexim dhe shkencë. Në matematikë, nxënësit kanë arritur vetëm 369 pikë, në lexim 342 pikë, ndërsa në shkencë fusha kryesore e këtij cikli rezultati mesatar është 378 pikë. Vetëm një e treta e nxënësve arrijnë nivelin bazë të kompetencës, duke lënë shumicën pa aftësitë minimale për të përballuar sfidat e jetës moderne.

Krahasuar me vendet e zhvilluara, diferenca është dramatike. Ndërsa Singapori, Japonia dhe Korea e Jugut kryesojnë renditjen, Maqedonia e Veriut mbetet shumë poshtë, duke u renditur pranë vendeve me sisteme arsimore të brishta. Gjermania, SHBA-të dhe Polonia qëndrojnë mbi mesataren, ndërsa Turqia ka shënuar përparim të dukshëm. Ky kontrast tregon se vendi jo vetëm që nuk po ecën përpara, por po humbet terren edhe ndaj fqinjëve.

Rezultatet e dobëta kanë implikime të drejtpërdrejta pasi nxënësit kanë vështirësi në interpretimin e grafikëve të thjeshtë, në nxjerrjen e informacionit nga tekste bazike dhe në kuptimin e marrëdhënieve elementare matematikore, si çmimi dhe njësia. Kjo do të thotë se gjenerata e re nuk është e përgatitur për jetën e përditshme, e lëre më për tregun e punës apo sfidat e teknologjisë moderne.

Çfarë duhet të ndërmerret?

Gjendja alarmante kërkon masa urgjente dhe të qëndrueshme. Së pari, duhet të investohet në cilësinë e mësimdhënësve. Pa mësues të trajnuar dhe të motivuar çdo reformë mbetet e zbrazët. Politizimi i arsimit dhe mungesa e meritokracisë në rekrutimin e kuadrove ka sjellë një degradim të vazhdueshëm.

Pastaj, kurrikulat duhet të modernizohen. Nxënësit duhet të mësojnë aftësi praktike, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të përgatiten për epokën digjitale. Në vend të mësimit mekanik, duhet të nxitet kreativiteti dhe zgjidhja e problemeve.

Ndryshe, duhet të krijohen kushte të barabarta për të gjithë. Diferencat socio-ekonomike janë një faktor i madh që ndikon në rezultatet e PISA-s. Pa investime në infrastrukturë, libra, laboratorë dhe qasje të barabartë në teknologji, hendeku mes nxënësve vetëm sa do të thellohet.

Kujtojmë që, rezultatet e PISA-s janë një paralajmërim serioz për të ardhmen e vendit. Nëse gjenerata e re rritet pa aftësitë bazike të leximit, matematikës dhe shkencës, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet e izoluar në një botë që ecën me ritme të shpejta. Alarmet janë ndezur mbetet të shihet nëse politika dhe shoqëria do të reagojnë me vizion dhe vendosmëri, apo do të vazhdojnë të heshtin përballë një krize që po gërryen themelet e së ardhmes. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër