Ministria e Mbrojtjes: 19 vatra zjarri në vend, 10 vijojnë aktive

Nga D V
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Gjatë ditës së sotme janë raportuar 19 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 10 vijojnë aktive dhe 9 janë nën mbikëqyrje.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur në përditësimin deri në orën 14:00 se, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 316 forca operacionale vendore dhe lokale, me 7 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 130 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 autoambulancë dhe 1 dron.

Në qarkun Tiranë, vatra në Malin e Dajtit vijon të jetë aktive. Në terren janë 25 zjarrfikës dhe 7 forca të ADZM-së, të mbështetur nga 52 efektivë të FA-së, 6 mjete dhe 1 autoambulancë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe në Malin me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë–Mali i Allushit, Selishtë dhe Pleshë, ndërsa Qafa e Helmes mbahet nën mbikëqyrje. Forcat vendore, zjarrfikëse, pyjore dhe vullnetare vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Lezhë, vatra në Kalivaç–Zimaj–Rras i Butë–Ungrej vijon aktive. Në operacion janë angazhuar forcat vendore dhe 41 efektivë të FA-së, 1 automjet zjarrfikës dhe 4 mjete ushtarake. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Vatra në Gallatë të Kurbinit mbahet nën mbikëqyrje.

Në Elbasan, vatrat në Qukës dhe Gurëshpatë vijojnë nën mbikëqyrje.

Në qarkun Shkodër, aktive janë vatrat në Porav, Mnelë e Madhe dhe Rragam, ndërsa Tërbuni mbahet nën mbikëqyrje. Në Rragam vijon puna e strukturave të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, forcave bashkiake dhe Emergjencave Civile, pa rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Fier, vatra në Peshtan mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa ajo në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktive. Në këtë zonë, krahas strukturave vendore, janë angazhuar 32 efektivë dhe 3 mjete të Forcave të Armatosura.

Në qarkun Korçë, vatra pranë Oparit është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon ndjekjen e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër