Sako: Një politikë e unifikuar kombëtare rrit eficiencën në programet e strehimit social

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, e vlerësoi Programin Kombëtar të Strehimit si një instrument të rëndësishëm për adresimin e nevojave për banesa sociale dhe mbështetjen e familjeve në nevojë.

Duke folur në aktivitetin për prezantimin e programit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Sako tha se kërkesat për strehim social përbëjnë një nga çështjet më të shpeshta të ngritura nga qytetarët.

“Gjatë punës së përditshme presim çdo ditë qytetarë. Vetëm në një ditë kam takuar në zyrë rreth 40 persona dhe më shumë se gjysma e tyre kishin kërkesa për banesë sociale apo për të qenë pjesë e programit të strehimit”, u shpreh ajo.

Sako tha se bashkia Durrës e ka zbatuar prej vitesh politikën e strehimit social, ndërsa vlerësoi se një politikë e unifikuar kombëtare do të ndihmojë në rritjen e eficiencës së programeve.

“Ne e kemi funksion prej vitesh, e kemi aplikuar dhe kemi përfitues në territoret që përfaqësojmë, por tashmë me një politikë të unifikuar është e nevojshme që programi të jetë më eficient”, tha Sako.

Ajo theksoi se një nga sfidat për bashkitë, veçanërisht qytetet e mëdha, mbetet gjetja e territorit për zhvillimin e projekteve të strehimit, për shkak të numrit të lartë të aplikantëve dhe kufizimeve të hapësirave.

“Duke pasur një planifikim, do të bëhet e mundur edhe identifikimi i të gjitha mundësive që kemi”, u shpreh ajo.

Sipas Sakos, në Durrës kërkesat për banesa sociale gjatë 7-8 viteve të fundit kanë arritur në rreth 3500 aplikime në sistemin e-Albania. Bashkia ka ofruar mbështetje përmes programit të kredive të buta, ndërsa ajo nënvizoi se një nga sfidat për familjet mbetet plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga bankat.

Sako vlerësoi programin e subvencionimit të 50% të qirasë, i cili, u krijon mundësi edhe çifteve të reja për të siguruar strehim në zona të ndryshme të qytetit.

Sako tha se bashkia Durrës do të vlerësojë potencialin e territorit për identifikimin e zonave ku mund të zhvillohen projekte të reja strehimi, duke përfshirë edhe hapësirat ku ka pasur pallate të shembura që ende nuk janë rindërtuar, si dhe territoret e zonave të reja në zhvillim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër