Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, synon të përmbyllë procesin e Rindërtimit në kryeqytet, nga Kombinati deri te 5 Maji dhe në zonat e tjera ku ka ende familje që presin të përfitojnë banesat.
Gjatë aktivitetit për prezantimin e Programit Kombëtar të Strehimit “Rilindja 2.0”, Rama tha se së shpejti do të finalizohet plani për përfundimin e procesit të Rindërtimit në Tiranë.
“Me Bashkinë e Tiranës do të finalizojmë shumë shpejt, nën udhëheqjen e ministrit të Pushtetit Vendor, planin për t’i dhënë fund historisë së pafundme dhe të pajustifikueshme të Rindërtimit, që nga Kombinati deri te 5 Maji dhe çfarë ka mbetur tjetër”, u shpreh Rama.
“Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsyet që dihen dhe për mos arsyet që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj koke prerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Europës që hyjnë në Këshillin e Europës, s’ka asnjë rast. Këshilli i Europës ka dy raste, më saktë Gjykata e Strasburgut dy, të cilat në të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari njësie bashkiake diku në Hungari dhe të një kryetari bashkie në Turqi.
Referenca demokratike dhe është rasti i Shqipërisë që është rast që është shumë më i rëndë dhe shumë më i mbrapsht sesa dy rastet e tjera. Kështu që heqja e kokës dhe eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë, ku më e prekura është ajo e familjeve që presin më në fund t’iu jepet çelësi sepse janë viktima të tërmetit. Mos flas për viktimat e tjera. Eksperiment jashtëzakonisht i rëndë dhe totalisht i dështuar”, tha Rama.
