FSK demonstron profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri në ushtrimin “Saber Junction 26”

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përfaqësuar nga një kompani e këmbësorisë të Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, mori pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, që është realizuar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels, Gjermani.

Sipas një njoftimi për media thuhet se në kuadër të ushtrimit, kompania e FSK-së, është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë Amerikane, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

“Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit adaptues, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, duke përfshirë operacione të sigurisë në mbështetje të zbarkimit ajror të batalionit, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se pjesëmarrja në “Saber Junction 26” i mundësoi FSK-së të zhvillojë më tej aftësitë e komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe të rrisë ndërveprueshmërinë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh paraqet një mundësi të rëndësishme për testimin e aftësive në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

“Aktivitetet e kontingjentit të FSK-së u përcollën gjatë ‘Observation Day’ nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci, së bashku me Rreshter Majorin e KFT-së, Naim Smakolli. Vizita shërbeu për të parë nga afër angazhimin, integrimin dhe performancën e pjesëtarëve të FSK-së gjatë ushtrimit”.

Pjesëmarrja në ushtrime të këtij niveli kontribuon drejtpërdrejt në ngritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve të FSK-së për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër