Izraeli shkatërron bazën nëntokësore të Hezbollahut në Liban

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 11 shtator, Zhurnal.mk – Ushtria izraelite ka shkatërruar një kompleks nëntokësor të Hezbollahut, grupit të armatosur të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit, njoftoi dje në mbrëmje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

Sipas tyre, operacioni përfundon forcimin e zonës së sigurisë në jug të Libanit.

Nga pala libaneze nuk pati fillimisht konfirmim për këtë informacion.

Ushtria izraelite tha se kishte shkatërruar infrastrukturën nëntokësore të Hezbollahut në zonën e kreshtës Ali al-Taher, pranë qytetit Nabatieh.

Sipas Izraelit, kjo infrastrukturë ishte ndërtuar gjatë më shumë se 20 viteve me financim iranian dhe përdorej për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

Izraeli pretendon se në kompleksin nëntokësor u gjetën raketa, dronë, armë automatike, raketa kundërtank dhe qindra mina e mjete shpërthyese.

Brenda tij ndodheshin gjithashtu një qendër komandimi, depo armësh dhe ambiente banimi, që u mundësonin luftëtarëve të qëndronin nën tokë për periudha të gjata.

Sipas ushtrisë izraelite, kompleksi shtrihej në një gjatësi prej më shumë se dy kilometrash.

Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Kryetari i bashkisë së Nabatiehut tha se shpërthimi pranë kreshtës ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe se lëkundjet u ndjenë në të gjithë jugun e Libanit, madje edhe në Bejrut, rreth 70 kilometra larg.

Izraeli tha se ushtarët e tij do të qëndrojnë në këtë zonë, për të parandaluar rikthimin e forcave të Hezbollahut dhe për të vazhduar shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake.

Pavarësisht një armëpushimi formal, Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje.

Ushtria izraelite vijon të jetë e dislokuar në jug të Libanit dhe kryen sulme pothuajse çdo ditë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër